“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionarëve dhe misionareve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari. Ju burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, që protestoni me guxim, me revoltë, çdo ditë, çdo natë. Me shembullin tuaj, me qëndresën tuaj ju jeni shpresa e fundit. Ju jeni burimi i vetëm i frymëzimit të qytetarëve shqiptarë kundër një regjimi diktatorial. Një regjimi që ka vendosur mbi shqiptarët sundimin e krimit, drogës dhe vjedhjes së tmerrshme të qytetarëve shqiptarë. Miqtë e mi, protesta kundër formës më të egër, më të shëmtuar të diktaturave, të cilën Huntington, ky gjeni i historisë dhe sociologjisë e quan diktaturën e bandave, ju pra po zhvilloni betejën më të vështirë kundër diktaturës më të keqe.
Kundër asaj diktature, e cila si pushtim i brendshëm ka përzënë nga vendi rreth 40 përqind të qytetarëve shqiptarë. Kundër atij regjimi që varfëron shqiptarët çdo ditë, çdo muaj e më shumë dhe i largon ata në dhera të huaja. Shkreton këtë vend më shumë se çdo pushtim i huaj. Më shumë se çdo epidemi në historinë e tij. Miqtë e mi, ju protestoni çdo natë. Ju protestoni te bashkia. Të tjerët protestojnë në Thumanë, të tjerët në Maliq sepse në këtë vend ku të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu, vetëm revolta, vetëm protesta kundër tij është rruga e vetme. Është rruga e vetme për të mos u shndërruar në fasadë të regjimit më kriminal që Shqipëria ka pasur në tërë historinë e saj.
Qytetarët shqiptarë janë qytetarët e vetëm në Europë, të cilët janë me drejtësi të munguar. Shteti ligjor në Vietnamin e diktaturës komuniste është 4 kate mbi shtetin ligjor të mobokracisë së Shqipërisë, anëtare e NATO-s, kandidate e BE, turpi, faqja e zezë e Europës dhe e botës. Qytetarët shqiptarë janë të vetmit që për një vendim drejtësie, duhet të presin 14.6 vite dhe si shpërblim marrin mesazhe se ne mbështesim drejtësinë e re. Se ne kemi besim te drejtësia e re. Zotërinj, të nderuar partnerë, mos u tallni më me shqiptarët. Për çfarë drejtësie bëni fjalë ju?
Për drejtësinë që për të marrë vendimin në gjykata, duhet të presë 14 vite shqiptari? Po të paktën këtë mos e bëni. Për cilën bëni fjalë ju? Kur kryeministri, i ka vënë drynin Gjykatës Kushtetuese, vendimet e të cilës janë norma kushtetuese në doktrinën e të drejtës. Zotërinj, në qoftë se nuk gjeni forcë të realizoni dramën që u krijua me drejtësinë, të paktën mos vazhdoni të mbështesni Edi Ramën. Të mbështesni Edi Ramën se shqiptarët po qeshin dhe bota do qeshë me ju,” tha Berisha.