Emrat/ Vrasja në azilin e të moshuarve në Tiranë, policia njoftim zyrtar për arrestimin e dy infermiereve

Policia e Tiranës, ka arrestuar dy infermiere në azilin e të moshuarve, ku një ditë më parë u regjistrua një ngjarje e rëndë, shtetasi Zyhdi Shehu, goditi për vdekje me bastun shokun e dhomës Virxhil Vesho.

Uniformat blu, njoftojnë se janë arrestuar Glesantina Saraçi, Nazime Mulla, të dyja infermiere në azil, të cilat dyshohet se kanë tentuar të fshehin ngjarjen.

“Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara të kryera u arrestuan shtetaset G. S., 26-vjeçe, dhe N. M., 31- vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, me profesion infermiere në azilin ku akomodoheshin dy të moshuarit.

Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë konsumuar veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Një ditë më parë, më datë 08.08.2024, ndodhur në një azil privat për të moshuarit, 78-vjeçari Zyhdi Shehu vrau me bastun shokun e tij 82-vjeçarin Virxhil Vesho.

Fillimisht ngjarja nuk raportua në polici, pasi infermierja kishte njoftuar morgun dhe një agjensi funerale për të tërhequr trupin e viktimës.

Mësohet se kur do të bëheshin procedurat në morg, u vu re se ne trupin e viktimës kishte shenja dhune, dhe pas ekspertimit u kuptua se 82-vjeçari nuk e kishte humbur jetën në kushte natyrale, por për shkak të dhunës.

Për këtë ngjarje, policia ka arrestuar kryeinfermieren dhe infermieren e turnit, për të dhënë një version përfundimtar të ngjarjes.