“Kurti njeri i Serbisë”, Haradinaj: Për të fshehur agjendën e tij, ka sulmuar UÇK

Ramush Haradinaj, kreu i AAK-së, shprehet se trupi i të vrarit nga policët serbe, Faton Hajrizi do të kthehet në Kosovë vetëm nëse Serbia dëshiron t’i bëjë ndonjë favor kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Haradinaj e akuzoi Kurtin si njeri të Serbisë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Haradinaj ka thënë se me ardhjen e Kurtit në qeverisje, Milan Radojçiqit është kthyer në faktor të fuqishëm kërcënues për Kosovën.

“Radojçiqi ka ikur prej Kosovës në kohën e qeverisjes time, i ka shkuar policia për ta arrestuar dhe nuk e ka gjetur aty dhe nuk është kthyer më. Gjatë kohës së asaj qeverie, Lista Serbe dhe Radojçiqi kanë qenë shumë të kujdesshëm në veprimet e tyre. Në atë kohë është bërë ushtria e Kosovës, statuti i Trepçës. Me ardhjen e Kurtit në qeverisje, Radojçiqi u kthye në faktor të fuqishëm kërcënues për Kosovën pra e shihni dallimin”, tha Haradinaj. Në vijim ai shprehet se VV për të fshehur planet e saj dhe për të fshirë agjendën që e kanë pro Serbisë, fillimisht janë kujdesur për të sulmuar UÇK-në.

Në vijim ai shprehet se kur ishte në frontin e luftës, si komandat i zonës operative të Dukagjinit, serbët emrin e tij e kanë pasur tmerr.

Sipas tij, Qeveria e Kurtit është kundër kategorive të luftës.

“Në rastin kur jam takuar me Rajdociqin kam qenë deri atëherë komandat i zonës operative të Dukagjinit, që e ka kryer detyrën në luftë 100 për qind; krejt serbët kudo që jetojnë emrin tim e kanë tmerr prej luftës. Kryetari i Qeverisë së Kosovës, i cili është përballur me Gjykatën Ndërkombëtare ka dalë i pafajshëm dhe njeriu që e ka bërë ushtrinë e Kosovës, këta janë kujdesur që të mbulojnë agjendën e tyre, e kemi rastin e votës në parlament të Listës Serbe dhe VV-së, kundër kategorisë së lirisë”, tha ai.

Kreu i AAK-së ka thënë se Kurti është njeriu i Serbisë, duke shtuar se punët e kryeministrit nuk janë në favor të Kosovës por në interes të Serbisë.


Shtuar 31.07.2024 18:51