Eliminimi i bujshëm i gjeneralit, çfarë e lidh Iranin me Shqipërinë

Eliminimi i gjeneralit iranian ma ngitur polemika të shumta dhe ka shtuar tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

Pas këtij akti, Shqipëria përmes zërave të saj zyrtarë bëri komentet e saj dhe shprehu mbështetjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.

Por, qëndrimi i Shqipërisë pavarësisht zërave kritikë ka një motiv dhe që lidhet drejtpërdrejt me Iranin. Shqipëria ka qenë objekt i sulmeve nga celulat terroriste iraniane, që fatmirësisht nuk mundën të realizohen, pasi informacionet policore nga struktura ligjzbatuese vendase dhe europiane erdhën në kohën e duhur.

Ndoshta është pak të thuhet, por mes Shqipërisë dhe Iranit lidhja e vetme është pikërisht terrorizmi dhe zbulimi i disa prej personave, për të cilët Policia ka publikuar fotot në të gjitha pikat kufitare dhe po bashkëpunon me të gjitha shtetet e Europës për të bërë të mundur arrestimin e tyre, shkruan Shqip.

Dhe bëhet fjalë pë rata persona që kanë qenë nën urdhrat direkte të liderit të ekzekutuar Kasem Sulejmani, sepse ky i fundit drejtonte njësinë QUDS në Iran, nga e cila ishin edhe anëtarët e celulës terroriste të zbuluar në Shqipëri.

Celula aktive terroriste e drejtuar nga regjimi iranian, i njësisë klandestine dhe sekrete të forcave QUDS është zbuluar në Shqipëri në tetorin e vitit 2019. Synimi i kësaj cellule terroriste ishte kryerja e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane (MEK) që njihen si refugjatët muxhahedinë në Shqipëri. Celula terroriste kishte planifikuar të kryente edhe një akt terrorist gjatë festës së Novruzit në mars 2018, por që u parandalua.

Festa e Novruzit frekuentohet nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK) dhe plani terrorist në selinë e Kryegjyshatës së Bektashinjve u parandalua në kohë.

Në atë kohë, (mars 2018) u ndaluan dy shtetas iranianë në mjediset e jashtme të Kryegjyshatës Botërore të dyshuar si persona të përfshirë në veprimtari terroriste. Në momentin e ndalimit ata po bënin foto dhe u thanë oficerëve shqiptarë të antiterrorit se ishin gazetarë dhe kishin ardhur me ftesë të Kryegjyshatës Botërore dhe personalisht të Baba Edmond Brahimaj.

Celula terroriste drejtohej nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si Peyman rezident i përhershëm në Iran dhe që menaxhonte dhe ndoshta dhe mund të menaxhojë ende ndonëse në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore.

Disa prej operativëve janë enkas për grumbullim informacioni dhe të tjerë për të kryer sulme terroriste. Një nga operativët, Alireza Naghashzadeh u dërgua nga Peymani për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që u ndalua.

Iraniani Naghashzadeh kishte qenë vetë një ish-anëtar i MEK-ut dhe zotëronte një pasaportë austriake. Celula kishte lidhje dhe me bosin mafioz turk, i cili u arrestua në Shqipëri në vitin 2011 për trafikim të rreth 1 ton drogë të llojit heroinë, por më pas u arratis duke përdorur një pasaportë false.

Një tjetër operativ është Abdolkhalegh Malek Zadeh, një iranian që jeton në Turqi dhe që ka drejtuar celulën operacionale. Malek Zadeh (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam Turgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të Peyman-it dhe të Forcave QUDS.

Nga viti 2014 në koordinim me Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria ka pritur një numër anëtarësh të MEK-ut, një organizatë që e sheh veten si opozita në mërgim dhe si një alternativë praktike ndaj regjimit iranian dhe për këtë shkak regjimi iranian e sheh atë si kërcënim serioz për mbijetesën e tij. MEK-u është një shënjestër kyçe për forcat e sigurisë iraniane, të cilat tentojnë të sulmojnë anëtarët e organizatës kudo ku ata mund të jetojnë dhe operojnë jashtë Iranit.

Pati shumë pyetje pas vrasjes së bujshme të gjeneralit iranian Kasem Sulejmani, por një ndër të parat që u ngrit në ato momente, lidhej me legjitimitetin e një lëvizjeje të tillë. Lideri i njësisë elitë Quds ishte një figurë brutale dhe forca e drejtuar prej tij konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Sulejmani, sipas departamentit amerikan të mbrojtjes, po zhvillonte në mënyrë aktive plane “për të sulmuar diplomatët amerikanë dhe personelin e shërbimit në Irak dhe në të gjithë rajonin”.


Shtuar 5.01.2020 14:00