Dogjën me zjarr sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme dhe ullinj, në fshatrat Delisuf dhe Gjorm, identifikohen dhe procedohen penalisht 2 shtetas.
Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Komisariati i Policisë Vlorë dhe Stacioni i Policisë Selenicë, u bë zbardhja e dy rasteve të zjarrvënieve në fshatrat Delisuf dhe Gjorm. Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. L. dhe Sh. L.
Shtetasi A. L. dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Delisuf, ka djegur me zjarr një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme, që e kishte marrë me qira, duke rrezikuar edhe parcelat në afërsi, në pronësi të shtetasve të tjerë.
Shtetasi Sh. L. dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Gjorm, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e oborrit të banesës së tij, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme dhe ullinj, në pronësi të një shtetasi tjetër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.