Vrasja e Marigona Osmanit/ Gjykata lë në fuqi dënimin burg përjetë për dy autorët

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur sërish fajtorë Dardan Krivaqën dhe Arbër Sejdiun, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit.

Marigona Osmani, ka qenë 18-vjeç kur është vrarë, më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Në gusht të vitit 2023, Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Osmanit, ndërsa Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vite burg, për ndihmë në kryerjen e veprës “vrasje e rëndë”.

Më 23 shkurt, Apeli i ka miratuar ankesat e avokatëve mbrojtës për aktgjykimin dhe e ka kthyer rastin në rigjykim, me arsyetimin se ka pasur shkelje procedurale gjatë procesit.

Sipas aktakuzës, Krivaqa, më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e ka detyruar atë të kryente marrëdhënie s*ksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Sipas aktakuzës, një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu e kanë vrarë të ndjerën në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Krivaqa e Sejdiu, e kanë dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit, dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Material përmbledhës i aktgjykimit të gushtit të vitit 2023

Ata janë akuzuar edhe për kryeje të dhunimit, por janë shpallur të pafajshëm në këtë pikë, në mungesë provash.

Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.