Alibeaj zbulon arsyen pse u largua nga PD: Divorcin me “berishizmin” nuk e kam bërë tani

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila i dha vulën dhe logon e Partisë Demokratike Sali Berishës, Enkelejd Alibeaj u bë deputeti i parë nga e djathta, që njoftoi se do të largohet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Deputeti Alibeaj, në një rrëfim në një emision televiziv u shpreh se ndarjen me “berishizmin” nuk e ka bërë tani, por kjo qasje siç tha ai i ka rrënjët 12 vjet më parë.

Pjesë nga intervista:

Duket se gjithë deputetët e tjerë po shkojnë drejt ballkonit, duan të turren dhe të kapin një cep aty. Ju pse zgjodhët ta bënit kaq publik aktin?

Enkelejd Alibeaj: Nuk qenë arsyeja se përse të tjerët kanë zgjedhur të shkojnë ashtu siç thatë ju, ose edhe ka qenë arsyeja në fakt. Liria është gjëja më e çmuar që njeriu ka. E kuptoj që kur je i angazhuar në një formacion politik, edhe ajo që quhet disiplinë ka rregullat e veta dhe do duhet respektuar për të mbajtur atë që është soliditeti i grupit, por arsyet e vërteta ju i thatë pak më parë është që divorcin me Berishizmin nuk e kam tani, s’e kam bërë as para tri vitesh në fakt. Të paktën ka një datë, e kam bërë që në 2012, atëherë isha deputet i PD, Sali Berisha ishte kryetar partie dhe kryeministër në mandatin e dytë. Mbani mend se ka qenë ngjarje politike, që mund edhe të mos ketë rënë shumë në sytë e publikut, po për mua ishin ndarje të mëdha që kishin ardhur natyrshëm deri në atë kohë, që konkretizuan ndarjen e rrugës. Emërimi I disa gjyqtarëve në gjykatën Kushtetuese të cilët kishin një të shkuar që vinin nga strukturat e gjykatave apo prokurorive, apo hetuesisë në fakt. Nuk ishte vetëm ajo ngjarje, por edhe disa të tjera, dhe që në atë kohë zgjodha të mos isha edhe deputet në 2013. Kështu që nuk është një ngjarje e momentit.

Më konfirmoni një gjë që unë e kam diskutuar shpesh që në atë kohë në 2012, Berisha mori në kontroll total gjithë regjimin juridik ose në fund fare edhe Gjykatën Kushtetuese.

Enkelejd Alibeaj: Ka këndvështrime të ndryshme. Ajo se çfarë mund të them edhe si njohës jo modest i sistemit të drejtësisë në atë kohë, e kam thënë gjithmonë që sistemi i drejtësisë, ka patur një simptomë. Simptomën e lules së diellit, e ke parasysh lulen e diellit, që kthehet gjithmonë nga dielli, nga pushteti. Për pushtetet nuk ka qenë ndonjë sforco e madhe vendosja nën tutelë e sistemit të drejtësisë. Vetëm tani, kohët e fundit një ishull i vogël duket SPAK dhe gjykata duket që ka dalë. Është ishull tani, duhet të ishte arqipelag në fakt, po nuk është i tillë, gjithsesi ka gjithmonë një moment, të parë, një herë të parë dhe kjo është një gjë e mirë dhe që do duhet mbështetur në fakt. Kështu që, arsyet se përse kanë qenë disa. Së pari, e kam thënë kohë më parë që ky është qëndrimi, janë vlera të cilat unë besoj. Në politikë njeriu beson në disa vlera, nuk e di në janë të drejta apo jo, por koherenca, konsistenca, qëndrimi ndaj atyre vlerave besoj e shndërron në virtyt. Ndaj nuk do doja të tregohesha i vogël, në kuptimin që të abandonoja këto vlera, këtë qëndrim, betejë të 3 viteve, duke bërë ca llogari të vogla të karrierës sime personale pas 2025. Besoj se faqja e bardhë do duhet ruajtur në çdo moment, sidomos në momente të tilla delikate.


Shtuar 2.07.2024 20:36

Tags: ,