Elbasan/ Dy vëllezërve i gjejnë arsenal armësh në banesë, njëri arrestohet tjetri do hetohet në gjendje të lirë

Policia ka gjetur një arsenal armësh në banesat e dy vëllezërve në fshatin Gjergjan të Elbasanit. Në pranga ka rënë njëri prej tyre ndërsa tjetri do të hetohet në gjëndje të lirë

Njoftimi i policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të posedimit të kundërligjshëm të armëve të zjarrit, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë siguruar informacion për 2 raste të posedimit të armëve të zjarrit.

Ky informacion është hetuar me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, dhe si rezultat është finalizuar operacioni policor i koduar “Vëllezërit”.

Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Gjergjan, në banesat e shtetasve A. M., 65 vjeç dhe B. M., 57 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

1 armë zjarri kallashnikov me 2 karikatorë me 80 fishekë;

1 armë gjahu gjysmë automatike;

1 ⁠armë zjarri pushkë (trofe);

2 pushkë pneumatike;

1 armë pneumatike me dylbi të montuar;

1 palë dylbi;

1 mjet prerës (thikë) i kombinuar me përforcues grushti.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u arrestuan në flagrancë shtetasi B. M., 57 vjeç, dhe u procedua në gjendje të lirë, për arsye shëndetësore, vëllai i tij, shtetasi A. M., 65 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 2.06.2024 12:33