Legjenda e Borussia Dortmundit, Roman Weidenfeller, ka paralajmëruar se ish-ekipi i tij mund të shkaktojë një befasi ndaj Real Madridit në finale të Ligës së Kampionëve.
43-vjeçari ka pretenduar se Dortmundi mund të shkatërrojë ‘makinerië e titujve’ të Los Blancos dhe të shkaktojë një befasi në ‘Wembley’.
Weidenfeller tha se ekipit të Edin Terzic i nevojitet të bëjë një përpjekje ekipore për t’i mohuar Madridit të fitojë në këtë finale.
“Sepse është radha e Borussia Dortmundit. Ata tani mund të luajnë krejtësisht të lirë. Madridi është një makineri absolute e titujve, veçanërisht në Ligën e Kampionëve. Dortmundi nuk po shihet si favorit, dhe kjo është mundësia e tyre e madhe”, ka thënë fillimisht Weidenfeller.
“Në njëfarë mase, edhe fati është gjithashtu një faktor. Një përpjekje ekipore është e domosdoshme. Ju nuk mund t’i lejoni Real Madridit hapësirë, njësoj si në gjysmëfinale ndaj Parisit. Ju nuk mund të lejoni klasin individual të lojtarëve si Vinicius Junior që të vijë në shprehje. Atëherë keni një mundësi”, është shprehur ai.
Madridi është vënë në kërkim të titullit të 15-të në Ligën e Kampionëve, ndërsa Dortmundi do të shpresojë që ta fitojë këtë trofe për herë të dytë në histori të klubit.
Weidenfeller ishte pjesë e ekipit të Dortmundit në sezonin 2012/2013 që e humbën finalen ndaj Bayern Munichut.
Bavarezët e fituan atë ndeshje me rezultat 2-1 falë golave të shënuar nga Mario Mandzukic dhe Arjen Robben. /Telegrafi/