Pasditen e djeshme, Dimitar Kovaçevski, konfirmoi zyrtarisht dorëheqjen nga pozita e kryetarit të LSDM-së. Mësohet se Kovaçevski, e kishte shpallur dorëheqjen më 8 Maj, si akt moral dhe në përputhje me statutin e partisë.
“Ftoj të gjithë kryesinë e partisë që ta bëjë të njëjtën gjë, që nga anëtarët e kryesisë, përmes organeve qendrore të partisë, deri te organet komunale të kryesisë së partisë. LSDM-ja do të duhet të shikojë mirë nga brenda, të mendojë se çfarë kemi bërë dhe cilat janë rezultatet dhe dobësitë në 4 vitet e fundit, ndoshta edhe në 7 vitet e fundit. Dhe më e rëndësishmja, çfarë duhet bërë për të rikthyer besimin e qytetarëve që kemi humbur”, thuhet në letrën që Kovaçevski adresoi te kryesia partiake.
“Ju informojmë se në seancën e sotme të Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, kryetari Dimitar Kovaçevski konfirmoi dorëheqjen nga pozita e kryetarit të LSDM-së, të cilën e kishte shpallur më 8 maj, si akt shumë moral dhe në përputhje me Statutin e Partisë ka iniciuar mbajtjen e Kongresit të LSDM-së me qëllim të analizës së rezultateve zgjedhore dhe deklarimit të besimit në organet e LSDM-së, të zgjedhura nga Kongresi, në funksion të rezultateve zgjedhore”, njoftuan sot pasdite nga Bordi Ekzekutiv i LSDM-së.
Ish-kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, pas përfundimit të zgjedhjeve të 8 majit në Maqedoninë e Veriut, u shpreh se nuk e priste këtë humbje të thellë, duke pranuar se Partia që ai drejtonte mori një goditje të fortë.
Kovaçevski paralajmëroi se duhej një reformim brenda Partisë dhe se duhet të reflektonin mbi këtë humje të madhe.
Gjithashtu, ai tha në atë kohë se nuk do të merr vendime të përshpejtuara, duke u bërë thirrje organeve partiake që të nisin zgjedhje brenda tyre në nivelin lokal dhe qendror.