Mbrojtësi i Ballkanit, Bajram Jashanica, shpallet “Ylli i javës” në Superligën e Kosovës

Mbrojtësi i Ballkanit, Bajram Jashanica është shpallur lojtari më i mirë i xhiros së 33-të në Superligën e Kosovës.

Jashanica ishte shënues i një goli në fitoren e Ballkanit ndaj Malishevës me rezultatin 2-0.

Futbollisti i Ballkanit u shpreh i lumtur për vlerësimin, duke shtuar se do të jetë motiv shtesë për tri xhirot e mbetura.

“Jam i lumtur për çmimin ‘Ylli i Javës’. Çdo sukses e çmim është motiv shtesë. Më gëzon fakti që skuadra është në formë të mirë dhe po rrugëton drejt titullit të tretë radhazi”.

“Uroj që edhe në tri ndeshjet e mbetura të kemi paraqitje të mira dhe ta përmbyllim edhe këtë edicion me trofe”, ka thënë Jashanica për faqen zyrtare të FFK-së.

Ballkani është në luftë për titullin e kampionit dhe është lider, ndërsa ka siguruar edhe finalen e Kupës së Kosovës ku do të ndeshjet me Prishtinën. /Telegrafi/


Shtuar 10.05.2024 16:45