Mashtronte biznesmenët duke u shtirur si zyrtar i lartë, Gjykata e Tiranës kalon për gjykim dosjen për Florian Gjergjin

Gjykata penale e Tiranës kaloi për gjykim në mungesë dosjen në ngarkim të supermashtruesit Florjan Gjergji.

Ai do të gjykohet në mungesë ndërsa ndaj tij janë duke u zhvilluar edhe dy procese të tjera për skemën e mashtrimit të biznesmenëve të ndryshëm që iu kërkonte shuma monetare në emër të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.

Gjergji është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria e Tiranës ndërsa për të janë në fuqi disa masa arresti me burg.

Në disa raste mashtrimi të zbuluara nga policia, në pranga janë vënë disa bashkëpunëtorë apo persona të përdorur nga Gjergji, i cili dyshohet edhe si organizatori i rastit më të fundit ku një biznesmeni nga Librazhdi, iu morën 100 mijë euro në emër të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.

Si e mashtroi biznesmenin në emër të Taulan Ballës

Oficerët këqyrën telefonin e shtetasit Flamur Rrushi, i cili kallëzoi se një numër në viber, që identifikohej si ministri i Brendshëm Taulant Balla, e mashtroi.

U zbulua se posedues i kësaj llogarie është shtetasi Florian Gjergji, i cili aktualisht është nën hetim dhe ndaj tij janë dhënë disa masa arresti për të njëjtën skemë mashtruese.

Biznesmeni, sipas kërkesës së mashtruesit, ka ardhur në Tiranë me çantën 100 mijë euro dhe ia ka dorëzuar një taksisti. “Mbajta shënim targat e taksisit”, tha biznesmeni në polici.

Prokuroria e Elbasanit identifikoi taksisitin, i cili deklaroi “isha taksist , erdha në Tiranë nga Lezha dhe mora nga Flamur Rrushi çantën. E pyeta fillimisht nëse është gjë e rrezikshme dhe më tha jo. Kur ia dhashë çantën, më dha 100 euro”, tha taksisti, i cili u la i lirë.

Por kjo nuk është hera e parë që Florian Gjergji përdor këtë skemë për të mashtruar dhe zhvatur para.

Një vit më parë ai i shkruante përmes aplikacionit “Telegram” një biznesmeni, duke u prezantuar si kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha.

“Jam Ermal Dredha dhe më duhen 35 mijë euro”, shkruante ai, duke lënë edhe takim në një qendër tregtare.

Florian Gjergji, që dyshohet se është organizatori i kësaj skeme mashtrimi i kishte thënë dy nga bashkëpunëtorëve të tij të shkonin në qendër tregtare, të takim biznesmenin dhe t’i thoshin “kemi ardhur të marrim pakon”.

Por ata nuk ishin në dijeni të faktit se “preja” e tyre kishte lajmëruar policinë. Me të mbërritur në qendrën tregtare, policia i kapi në flagrancë dhe i prangosi.

Të arrestuarit ishin Afrim Radici, Gezim Çelanji dhe Qazim Vata, ndërsa Gjergji ishte në arrati.

Në 4 operacione të ndryshme të Njësisë “E” në Policinë e Shtetit për këto krime u arrestuan 11 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kishin role dytësore në mashtrim./albeu.com


Shtuar 9.05.2024 13:04