Në konferencën e sotme me gazetarët, presidenti i vendit Ilir Meta tha se ai do të qëndrojë në detyrë deri në korrikun e vitit të adhshëm, kur i mbaron zyrtarisht mandati, duke qenë në njëfarë forme i bindur se kushtetuesja do të rrëzojë vendimin e kuvendit për shkarkimin e tij.
I pyetur nga gazetarët, nëse ka ”fuqi” për të ringitur LSI-në dhe a do të marrë drejtimin e kësaj force politike pasi ti mbarojë mandati në presidencë, Meta zgjodhi një përgjigje diplomatike, duke thënë se ishte i gatshëm që të ngjiste malet më të larta të vendit.
President, ju e cilësoni nul, vendimin e Kuvendit për shkarkimit tuaj, por tani dosja do t’i shkojë Gjykatës Kushtetuese. Në rast se Gjykata Kushtetuese shprehet pro shkarkimit tuaj, a do ta njihni ju këtë vendim?
Meta: Kini durim deri në 24 korrik të vitit të ardhshëm! Do të jemi këtu në mënyrë të vazhdueshme. Këto kohë nuk do të jemi në mënyrë shumë intensive sepse do t’i lëmë kohë të përfundojë, procesi zgjedhor i ankimimeve dhe vëmendjen ta marrë ky proces; pastaj, me fillimin e sezonit të ri do të jemi në mënyrë shumë më aktive këtu dhe të jeni shumë e qetë.
Po pas 24 korrikut, i qëndroni planit tuaj për të marrë drejtimin e LSI-së? Sepse tani nuk jeni më në 2004-ën, ju nuk jeni më i ri si atëherë. Keni forcë për ta rritur atë parti në këtë fazë?
Meta: Unë të ftoj të kthehemi në majë të Jezercës dhe në majë të Korabit në çdo moment…. Faleminderit shumë, të kaloni mirë. Do të jemi vazhdimisht në kontakt dhe… “malet tona më të larta”. Mirupafshim!