Policia shpall në kërkim xhudistin Akil Gjakova, dyshohet për dhunë në familje

Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për dhunë në familje.

Në një postim në rrjetin social Facebook të hënën, Policia u kërkoi qytetarëve bashkëpunim për lokalizimin dhe arrestimin e xhudistit pejan.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në njoftim.

Gjakova, ndër atletët më të njohur në vend, kërkohet për veprën penale dhunë në familje.

Sipas mediave lokale, Gjakova, 28 vjeç, dyshohet për dhunë fizike ndaj bashkëshortes.

Shpallja e tij në kërkim vjen në një kohë kur Kosova është tronditur nga rastet e dhunës në familje, pas vrasjes së dy grave në pesë ditët e fundit.

Për të dyja rastet, të dyshuar kryesorë janë burrat e tyre.


Shtuar 16.04.2024 18:52