U zgjodh kryetar i degës së Rithemelimit në Lezhë, Gjin Gjoni: Situata është kritike por Partia Demokratike e Lezhës ka objektiva të qarta

Gjin Gjoni do të jetë kryetar i degës së PD-së së Rithemelimit në Lezhë, duke fituar me një rezultat të thellë ndaj dy kandidatëve përballë tij.

Gjoni siguroi 604 vota kundrejt kandidatëve, Albert Rrusti i cili mori 312 vota dhe Paulin Marku 131.

Pas fitores, në një prononcim për mediat, ai falënderoi qytetarët e Lezhës që e votëbesuan, ndërsa tha se situata në PD është shumë kritike, por dega e Lezhës i ka objektivat e qarta.

Ndër të tjera ish-gjyqtari u shpreh se do të fillojnë me riorganizimin e PD-së së Leshës dhe përgatitjen për fushatën elektorale për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Në radhë të parë doja të falënderoja dy kolegët e mi për garën dinjitoze. Populli i Lezhës arriti të më votëbesojë mua, është përgjegjësi shumë e madhe.

Patjetër që situata politike në të cilën ndodhemi është jashtëzakonisht shumë kritike, por Partia Demokratike Lezhës ka objektiva të qarta.

Të bashkuar, siç jemi sot, do të fillojmë me riorganizimin e partisë dhe përgatitjen për fushatën elektorale të 2025”, tha Gjoni.


Shtuar 6.04.2024 21:24