Joan Laporta tregon se pse ai refuzoi ofertën 200 milionë euro për Lamine Yamal

Barcelona ka refuzuar një ofertë jashtëzakonisht të madhe që ka ardhur në drejtim të tyre për shërbimet e sensacionit spanjoll Lamine Yamal.

Gjiganti katalanas është në një situatë tejet të vështirë financiare tash e disa vite. Që prej rikthimit të tij për herë të dytë si president i klubit në mars të 2021, Joan Laporta ka përdorur disa zgjedhje kreative, duke përfshirë aktivizimin e levave ekonomike, për ta mbajtur klubin konkurrues.

Sidoqoftë, kjo verë duket se nuk do të jetë e mjaftueshme që ata të reduktojnë buxhetin e pagave të lojtarëve, teksa blaugranasit dëshpërimisht po kërkojnë uljen e borxhit që ka tejkaluar vlerën e 800 milionë eurove.

Por përkundër vështirësive financiare, Laporta ka zbuluar se Barcelona ka refuzuar një ofertë jashtëzakonisht të madhe në vlerë prej 200 milionë eurosh për Lamine Yamal, e cila do të tejkalonte atë që PSG-ja pagoi për Neymarin në vitin 2017 (191 milionë euro).

“Ne nuk duam të shesim ndonjë lojtar të madh. Nëse gjithçka shkon sipas planit me qëllimet tona, ne nuk do të jemi të detyruar të shesim ndonjë lojtar”, ka thënë Laporta për Mundo Deportivo.

“Natyrisht, nëse dikush dëshiron të largohet, ne nuk do t’i ndalim ata. Por nuk jam i shqetësuar për këtë, ne duam të mbajmë të njëjtin ekip”, është shprehur ai.

“Ne po marrim oferta të çmendura për lojtarë si Lamine Yamal rreth 200 milionë euro dhe po i refuzojmë, natyrisht. Ne kemi besim tek Lamine dhe nuk kemi nevojë të shesim”, përfundoi Laporta. /Telegrafi/


Shtuar 23.03.2024 21:15