Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Sekretari i Shtetit e SHBA, Antony Blinken firmosën sot në Tiranë Memorandumin e Mirëkuptimit Kundër Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj si dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright.
Memorandumi i parë ofron një kornizë bashkëpunimi për të monitoruar dhe kontrolluar informacionin e shtetit te huaj për të luftuar manipulimin e tij nga aktorët e huaj në mënyrë që të mbrohen vlerat e përbashkëta te demokracisë në nivel ndërkombëtar.
Shqipëria dhe SHBA shprehin vullnetin përmes këtij MOU që të punojnë së bashku edhe me kombet njëmendëse, për të luftuar informacionin e manipuluar.
Memorandumi i Mirëkuptimit/ Programi i Shkëmbimit Akademik Fulbright synon që çdo vit të propozohen studentë, staf akademik dhe profesionistë nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të Republikës së Shqipërisë për të studiuar në universitetet e SHBA-së dhe të koordinohet nga përfaqësuesi amerikan, pjesëmarrja e studentëve, stafit akademik dhe profesionistëve të Shteteve të Bashkuara në studim, kërkimet ose trajnime akademike në institucionet akademike apo institucionet e tjera të Republikës së Shqipërisë.
Me anë të këtij memorandumi mirëkuptimi, Qeveria e Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave), nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit do të mbështesë nga ana financiare programin e shkëmbimit akademik “Fulbright Student” për të krijuar mundësi të tjera shtesë për studentët, në mënyrë që të bëhen pjesë e këtij programi.
”Nënshkruam sot me Sekretarin Blinken, dy Memorandume Mirëkuptimi mbi Shkëmbimin Akademik Fulbright dhe Kundër Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj.
Një tjetër hap përpara në partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara, ndërsa punojmë së bashku për të nxitur bashkëpunimin akademik dhe shkëmbimin kulturor dhe për të adresuar kërcënimet në rritje nga aktorët e huaj në fushën digjitale.”