Eksplozivi, i cili u përdor më shumë se tre dekada më parë gjatë vrasjes së gjyqtarit të famshëm italian Paolo Borsellino, është prodhuar në Berane të Malit të Zi.
Po ashtu, ka të dhëna se edhe gjyqtari shqiptar Skerdinalajd Konomi, u vra me eksploziv që origjinën e kishte nga e njëjta fabrikë në Malin e Zi.
Kjo nuk është çudi, duke pasur parasysh faktin se në ato vite Mali i Zi ishte një strehë për mafiozët italianë të arratisur nga drejtësia e vendit, por edhe për t’u ruajtur prej kundërshtarëve.
Më herët, gazeta La Gazeta del Mezoggiorno, iu referua këtij fakti sipas dëshmisë së një të penduari nga radhët mafioze të “Sacre Corona Unite”, i cili pretendonte se eksplozivi kishte ardhur nga ish-Jugosllavia, me shumë gjasa nga Mali i Zi.
Ky mafioz i penduar, tha se në atë kohë në Mal të Zi kishte shumë mafiozë italianë, të arratisur nga drejtësia që mbroheshin nga autoritetet malazeze.
Ky ishte një shërbim për shumën e madhe të parave që i vinin Malit të Zi nga kontrabanda e cigareve.
Bashkëbiseduesi i Radio Televizionit të Malit të Zi, kujton se nga viti 1992 deri diku në vitin 1997, një numër i madh i anëtarëve të dy organizatave mafioze italiane -Camorra nga Napoli dhe Sacra Corona Unita qëndruan në Malin i Zi.
Ata drejtonin biznesin e kontrabandës së cigareve, drogave dhe armëve.
Sipas tij, të gjithë mafiozët italianë dhe bosët e mafias në Mal të Zi qëndruan në atë periudhë, kryesisht në zonën e Tivarit dhe Herceg Novit.
Më pas, për disa arsye, “mikpritja” e tyre u anulua, kështu që ata u zhvendosën drejt Shqipërisë dhe destinacioneve të tjera të rëndësishme për kontrabandë.
“Duke i ditur të gjitha këto, nuk është aspak e pamundur që eksplozivi i përdorur në atentatin ndaj gjyqtarit italian Paolo Borselino të ketë shkuar nga Mali i Zi”, thotë ky bashkëbisedues.
Gjykatësi Borselino, u vra më 19 korrik 1992 në një shpërthim të tmerrshëm në Palermo. Në atentat u vranë edhe gruaja e tij dhe tre anëtarë të sigurisë fizike.
Borselino, së bashku me kolegun e tij Giovanni Falcone, i cili gjithashtu u vra dy muaj para tij, nisën gjyqin më të madh në drejtësinë italiane kundër krimit të organizuar, gjatë të cilit u arrestuan një numër i madh bosësh të mafias.
Në bazë të punës së Borselinos, raportojnë mediat, është formuar Drejtoria Hetimore për Luftën Kundër Mafias (DIA).
Se eksplozivët nga Mali i Zi, janë shumë të kërkuara në tregun e zi, tregon edhe rasti kur policia e Shqipërisë njoftoi se edhe lënda shpërthyese që vrau gjyqtarin 33-vjeçar Skerdilajd Konomi në vitin 2011, ka shumë të ngjarë të jetë prodhuar në Mal të Zi.
Konomi humbi jetën kur makina e tij Mercedes, shpërtheu në qendër të Vlorës në 9 shtator 2011.
Gjatë hetimeve, policia gjeti pjesë të një celulari që nuk i përkisnin gjyqtarit dhe një magnet me të cilin ishte ngjitur lënda plasëse në makinë.
Autoritetet shqiptare më pas njoftuan zyrtarisht se Konomi vdiq si viktimë e urisë në rritje të mafias dhe krimit të organizuar, për të ndikuar në sistemin gjyqësor të atij vendi.
Media malazeze shkruan se sipas disa informacioneve të sigurta, numri më i madh i shpërthimeve të vendosura në Shqipëri bëhet me eksploziv të prodhuar në Mal të Zi, si specifikisht nga fabrika në Berane.
Një burim i mirëinformuar pohon se ky eksploziv, është përdorur mbi tetëdhjetë herë në përplasjet mes grupeve mafioze shqiptare.
Lëndë shpërthyese nga Berane u vendosën poshtë makinave, shtëpive dhe bizneseve. Disa shqiptarë, të kapur me eksploziv, madje pranuan para inspektorëve se i kishin blerë në Mal të Zi.
Në bazë të përbërjes unike kimike, u konstatua se edhe eksplozivi i përdorur në atentatin ndaj ish-presidentit maqedonas Kir Gligorov ishte prodhuar në Berane.
Vrasja e Glogorovit, u krye në tetor të vitit 1995 me ndihmën e një autobombe, e cila shpërtheu matanë rrugës nga Hotel Bristol në Shkup, në momentin kur po kalonte vetura me presidentin maqedonas.
E përditshmja “Blic”, iu referua deklaratës së ish-shefit të kërkimit për eksplozivët, Millovan Azbejkoviç, i cili ishte i bindur se në sulmet terroriste në Londër në vitin 2005 janë përdorur edhe eksplozivë plastikë ushtarakë nga Mali i Zi.
Azbejkoviç, tha se vetëm katër vende në botë prodhonin eksploziv plastik, por ai malazez ishte më i mirë se ai amerikan C-4.
Ai ka shpjeguar se ky eksploziv është prodhuar në fabrikën ushtarake në Berane deri në vitin 1991, pra në fillimin e luftrave.
Që atëhere nuk ka patur më prodhim të këtij eksplozivi, por ai gjendet në magazina ushtarake dhe në tregun e zi me një çmim prej dy deri në pesë mijë dollarë.
Azbejkoviç pohoi se gjatë luftës ai ishte “në çdo vend, në duart e të gjithëve dhe jashtë çdo kontrolli”.
Për këtë kanë shkruar edhe mediat e huaja, duke iu referuar shërbimeve të huaja të inteligjencës.
“Veprimet e policisë rrallë japin rezultat, por në shtator të vitit 2008 në Prishtinë janë arrestuar tetë persona me gjithsej dhjetë kilogramë eksploziv nga Berani”, thotë ky bashkëbisedues.
Ai rikujton gjithashtu, se në Berane u sekuestruan njëzet e dy kilogramë eksploziv plastik në një operacion policor të quajtur “Grom”, ku u thye zinxhiri i kontrabandës së armëve nga Ballkani në Francë, si dhe se në atë vend mbi 30 për qind e armëve të paligjshme e ka origjinën nga Ballkani.
Nëpërmjet kanaleve të caktuara të organizatave kriminale, eksplozivi plastik PEP i Beranit përfundoi në duart e terroristëve nga Lindja e Mesme. U përdor dhe u kontrabandua në Siri nga një kontrabandist i famshëm armësh sirian.
Fabrika ushtarake Beranski “Polieks” u hap në fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, si pjesë e fabrikës ushtarake në Vitez dhe prodhonte eksploziv plastik, detonatorë dhe bomba për nevojat e ushtrisë së atëhershme.
“Polieks” më vonë u privatizua, u riorientua në prodhimin e eksplozivëve komercialë dhe u vendos një kontroll i rreptë i qarkullimit të produkteve, por në tregun e zi mund të gjenden ende rezerva të mbetura të eksplozivit plastik dikur shumë të famshëm PEP, të cilin ish-shefi i hetimit të ekskplozivëve Milovan Azbejković, tha se ishte më i fuqishëm se C-4 amerikan.