Mbreti i Spanjës, Felipe VI bëri thirrje për shpalljen e armëpushimit të përhershëm dhe kërkoi që të garantohet dërgimi i ndihmave humanitare në Gaza e cila sulmohet nga Izraeli.
Mbreti Felipe VI mbajti një fjalim në Pallatin Mbretëror në Madrid duke iu drejtuar ambasadorëve të 126 vendeve të akredituar në Spanjë, ku ai theksoi se “Tragjedia në Gaza trondit ndërgjegjen e njerëzimit”.
Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për shpalljen e armëpushimit të përhershëm në Gaza dhe për garantimin e dërgimit të ndihmave humanitare për popullin e Palestinës, mbreti spanjoll kërkoi që edhe Hamasi të lirojë pa kushte dhe menjëherë pengjet.
Mbreti Felipe VI përsëriti propozimin që qeveria e koalicionit të majtë në Spanjë ka theksuar me këmbëngulje në komunitetin ndërkombëtar për “zgjidhjen me dy shtete, në të cilën shtetet e Izraelit dhe Palestinës njihen në kushte të barabarta, plotësisht të pavarura dhe me kufij të qartë”.
Mbreti Felipe VI i Spanjës foli edhe për pushtimin rus të Ukrainës, i cili pak kohë më pas do të mbush 2 vite.
“Rusia pushtoi pa arsye dhe në mënyrë të padrejtë Ukrainën. Vendi ynë do të vazhdojë të punojë me partnerët e saj evropianë dhe ndërkombëtar për të siguruar paqe globale, të drejtë dhe të përhershme në Ukrainë, në kuadër të respektimit të plotë të Kartës së Kombeve të Bashkuara”, deklaroi Mbreti Felipe VI.