Kryeministri maqedonas fton Ramën, Kurtin dhe Vuçiçin në Shkup, zbulohet data takimit të përbashkët mes liderëve të Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka ftuar në një takim të përbashkët në Shkup, liderët e rajonit, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian.

Mësohet se takimi do të mbahet në Shkup më 22 janar, pra të hënën e ardhshme.

Në takim janë të ftuar, kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, si dhe Gert Jan Kopmann, Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, së bashku me James O’Brien, Ndihmës Sekretari Shtetërorë për Evropë dhe Euroazi të SHBA-ve.

Kujtojmë se në një konferencë disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se do të shkonte në Shkup brenda këtij muaji, ndërsa tha se shpresonte se aty do të takonte dhe homologun Albin Kurti.


Shtuar 16.01.2024 18:59