Ekstradohen në Shqipëri dy shtetas shqiptarë të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. 32 vjeçari Gjergji Luli u ekstradua nga Italia pasi ishte lënë në “Arrest në burg”, për veprat “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
32 vjeçari, në bashkëpunim me një tjetër, dyshohet se ka transportuar dhe më pas i ka shitur një sasi lënde narkotike kokainë, për 200 000 euro dy personave të tjerë. Sipas policisë, këta të fundit e kanë trafikuar dhe shitur këtë sasi droge në zonën e Bergamos, Itali, në periudhën mars-nëntor të vitit 2016.
Gjithashtu, në janar të vitit 2017, në Bergamo, është sekuestruar edhe një sasi tjetër kokaine, që dyshohet se 32 vjeçari dhe bashkëpunëtori i tij ia kishin shitur këtyre personave. Ndërkaq, nga Greqia është ekstraduar 48 vjeçari Arben Cufe, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik lëndësh narkotike.