Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete ka mbajtur sot një konferencë ku ka bërë bilancin e vitit 2023 dhe gjithashtu foli për pritshmëritë e vitit 2024.
Me një turizëm gjithëvjetor ekonomia po hyn në një fazë të re mbi 10 milionë vizitorë të huaj dhe më të ardhura në rreth 3.2 miliardë euro.
Reforma e nisur e rritjes së pagave në sektorin publik do të vijojë ndjeshëm edhe gjatë 2024.
Mete: Në muajt e parë të vitit do të finalizohen vendimet që specifikojnë rritjen për të gjitha kategoritë. Në mesin e vitit 2024 do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave, me synimin që brenda këtij viti të arrijmë pagën mesatare prej 900 euro në sektorin publik.
Nga data 1 janar, ka nisur zbatimin ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”. Ky ligj është plotësuar tashmë me të gjitha aktet e nevojshme nënligjore që mundësojnë zbatimin e plotë të tij.
Mete: Në kuadër të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” është hartuar edhe udhëzimi i ri, lidhur me taksimin e kalimit të pronësisë, ku kemi gjetur me vend të vendosim një rregull të ri. Në të gjitha zonat do të aplikohet çmimi i referencës në shitje, në raport me moshën e ndërtesës, ku për çdo vit vjetërsi, çmimi do të ulet me 1%. Gjatë këtij viti, do të ketë një rishikim të çmimeve të referencës edhe në zonat bregdetare.
Gjithashtu ministri u ndal edhe te forcimi i Lekut dhe tha se kjo tregon forcimin e ekonomisë, ndërsa shpjegoi se ky forcim ka ndodhur nga një sërë faktorësh.
Mete: Forcimi i lekut është reflektim i forcimit të ekonomisë. Nëse kemi vetëm në 9 mujor 3.2 miliardë euro flukse hyrëse nga turizmi, sigurisht që kjo ndikon në forcimin e monedhës vendase, ashtu siç ka edhe një sërë fluksesh të tjera që shprehen në forcimin e monedhës vendase. Ne jemi një ekonomi e hapur, e ndjeshme ndaj zhvillimeve të partnerëve tanë tregtarë, ndaj zhvillimeve gjeopolitike që kanë dhënë efekt në atë sektor.
Ai u ndal po ashtu te ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe tha se një draft do të jetë gati në tremujorin e parë të këtij viti.
Mete: Ligji është në diskutim, kemi një analizë të Bankës Botërore sa i përket primit nëse do të jetë bazik i unfiirkuar për gjithë vendin apo i ndarë në 2 apo 4 zona të vendit, të cilat reflektojnë nga njëra anë riskun sizmik dhe nga ana tjetër vlerën e banesave./albeu.com