Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit Amerikan, Matthew Palmer është shprehur se SHBA dhe BE e konsiderojnë urgjente finalizimin e një marrëveshje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në një intervistë për mediat kosovare, Palmer deklaroi se synohet një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.
“Synimi ynë është që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që garanton njohjen reciproke mes dy vendeve. Ju takon dy palëve që të caktojnë temat për të cilat duhet të flasin në këtë takim. Gjatë këtij muaji pritet takimi mes Kurtit e Vuçiçit, shpresojmë që të dy anët të punojnë me përfaqësuesin e BE-së, se si duhet t’i qasen çështjeve që duan t’i arrijnë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera në intervistën e tij Palmer, ka theksuar nevojën e arritjes së marrëveshjes në një periudhë sa më të afërt.
“Ne dhe Bashkimi Evropian ndjejmë një lloj urgjence për këtë proces dhe do të dëshironim që palët të ecin përpara shpejt. Palët të pranojnë që koha është e çmuar, të arrihet një marrëveshje sa më shpejt që është e mundur”, është shprehur ndër të tjera Palmer.
Gjithashtu vlen të theksohet se Palmer dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nga e hëna kanë qëndruar për vizitë në Kosovë, ku janë takuar me krerët e shtetit dhe krerët e partive opozitare.
Nga Kosova, Palmer e Lajçak pritet që të udhëtojnë për në Serbi, ku të enjten do të takohen me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.