Ukraina hedh në erë linjën hekurudhore që lidhte Rusinë me Kinën

Shërbimi i sigurisë i Ukrainës ka hedhur në erë një lidhje hekurudhore thellë brenda Rusisë, ka thënë një zyrtar i lartë për BBC. Shpërthimet e njëpasnjëshme thuhet se kanë ndodhur në trenat që kalonin fillimisht përmes një tuneli dhe më pas në një urë në lindjen e largët të Rusisë.

Rusia thuhet se ka filluar një hetim për një “rast kriminal të terrorizmit” pas sulmeve në linjën Baikal Amur që shkon në kufirin me Kinën. Shkalla e dëmit nuk është verifikuar. Burimet ukrainase thanë se qëllimi ishte të “çaktivizonin” një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës që rusët përdorin ndonjëherë për qëllime ushtarake.

Pas incidentit të parë në tunelin Severomuysky, të mërkurën në mbrëmje, zyrtarët e hekurudhave ruse thanë se ekuipazhi kishte vënë re tym në një rezervuar karburanti dhe treni ishte ndalur.

Me 15 km, Severnomuysky është tuneli më i gjatë hekurudhor në Rusi dhe shtrihet në rajonin e Buryatia, në veri të Mongolisë. Një zyrtar i lartë ukrainas i tha BBC-së se treni i mallrave në fakt kishte shpërthyer në tunel. Rusët më pas ranë në “kurth” – pretendoi zyrtari – të përdorimit të një rruge alternative të urës.


Shtuar 1.12.2023 23:04