Deputetët e përjashtuar të opozitës paralajmëruan se do të jenë në Kuvend! Rama mbledh Grupin e PS-së, porositë për socialistët

Teksa demokratët kanë paralajmëruar se do të jenë në Kuvend, pavarësisht se 23 prej deputetëve janë të përjashtuar, Edi Rama ka mbledhur  Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste.

Mësohet se ai i ka dhënë porosi socialistëve lidhur me seancën parlamentare që do të zhvillohet në orën 17:00.

“Ne vazhdojmë të respektojmë rregulloren, ata të vijojnë punën e tyre. Për çdo situatë të krijuar duhet që PS të jetë e unifikuar në qëndrim”, iu është drejtuar Rama.

Pavarësisht se Parlamenti i ka përjashtuar për 10 ditë, 23 prej deputetëve të opozitës, këta të fundit kanë vendosur të shkojnë sot në Parlament.

Seanca e radhës është parashikuar për ditën e sotme në orën 17:00, ndërsa grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të mblidhen para ndërtesës së Parlamentit në orën 16:30 minuta për të shkuar siç thuhet në njoftim “në grup në seancë”.

Lexo edhe: Sot seancë, deputetët rikthehen pas bojkotit të opozitës! 23 të përjashtuar, Bardhi: Do jemi në Kuvend

Për shkak të tensioneve të krijuara në seancën e 19 tetorit, nënkryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj ndërpreu seancën.

Me kërkesë të socialistëve, midis deputetëve të përjashtuar janë edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi si dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Seanca e sotme do t’u kushtohet problemeve të qytetarëve, por kjo seancë pritet të jetë e tensionuar për shkak të vendimit që opozita mori dy javë më parë se nuk do të lejojë asnjë mbledhje normale të parlamentit.

Për më tepër, 23 deputetët demokratë të cilët janë përjashtuar nga parlamenti për 10 ditë do të shkojnë në Kuvend, pavarësisht se sipas socialistëve, masa disiplinore ndaj tyre përfundon ditën e martë./albeu.com


Shtuar 30.10.2023 11:47