Në 7 ndeshje me Sylvinho-n në stol, në 6 prej tyre Kristjan Asllani e ka nisur si titullar, një detaj që tregon qartë se sa shumë beson tekniku brazilian te mesfushori kuqezi. Shqipëria është kthyer në një strehë për Asllanin, një vitrinë e rëndësishme ku mund të shfaq talentin e tij. Ndryshe është situata kur bëhet fjalë tek Inter, Simone Inzaghi nuk e sheh si titullar, kjo dhe për faktin se Asllani luan kokë me kokë për një fanelle titullari me një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij, Hakan Calhanoglu.

Në çdo rast, Asllani ka treguar përulësi dhe respekt, duke mos u ankuar për minutat e pakta, fundja luan për ekipin e zemrës, por në këtë moshë, Asllanit i duhet minuta në këmbë, për këtë arsye emri i tij mbetet fiks në tregun e transferimeve. Së fundmi, sipas mediave italiane, interesim për mesfushorin kuqezi ka shfaqur edhe një mjeshtër i vërtetë si Adriano Galliani.
Drejtori i Monza-s kërkon të përfitojë nga interesimi që Inter ka shfaqur për lojtarin e tij, Andrea Kolpanim, kërkon të përfshijë në negociata pikërisht Kristjan Asllanin. Në çdo rast, pavarësisht interesimit të Monza-s, Inter nuk është gati të lë të lirë një lojtar si Asllani, fundja larguan Brozovic pasi besojnë shumë tek ai.