Premiera e “Në Kuadër të Dashurisë” bëri bashkë VIP-at e vendit tonë, duke u shndërruar edhe në një pasarelë në tapetin e kuq.
Po si çdo event, edhe këtë herë pati shumë për të diskutuar. Incidente, veshje të ekzagjeruara, apo edhe hatërmbetje u vunë re përgjatë kësaj premiere.
Ja çfarë nuk u pa gjatë mbrëmjes.
Tensione dhe ironi mes Luizit dhe Oltës edhe në “backstage”
Kemi folur shpesh për marrëdhënien e tensionuar të Luizit dhe Oltës, ndonëse në këtë film luanin rolin e dy të dashuruarve. Ndonëse gjithnjë e kanë përshkruar marrëdhënien në punë si të mirë, duket se tensionet mes tyre nuk kanë munguar.
Madje, edhe natën e premierës, tensionet kanë qenë të dukshme. Ndonëse protagonistë të filmit, dyshja nuk u fotografua asnjëherë së bashku, madje dhe në skenë, sapo përfunduan përshëndetjen, u larguan menjëherë.
Por, duket se ironitë kanë vijuar edhe në “backstage”, ku siç shihet, mes aktorëve të tjerë, Olta dhe Luizi kanë zgjedhur as mos ta vështrojnë njëri-tjetrin në sy. Megjithatë, disa batuta mes tyre janë bërë, ndonëse me palët e treta.
Duket se raporti mes të dyve, tashmë është i mbyllur përfundimisht. Një tension i tillë u vu re edhe në natën e parë të “Dancing with the Stars”, ku teksa ishin në skenë, u vu re “indiferenca” e Luizit dhe Oltës, teksa u pyetën për eksperiencën e tyre në film. Luizi fillimisht nuk dha asnjë koment, ndërsa ishte Olta ajo që “theu akullin”, duke komentuar vijën melodike.
Truprojat shpëtojnë Luizin nga fansat, por vëmendja e tij është për Kiarën
Protagonistët e “Në Kuadër të Dashurisë” shijuan mbrëmjen e tyre mes fansave që ishin kuriozë si për të parë filmin, ashtu edhe për të parë personazhet nga afër. Natyrisht që një vëmendje të madhe kishte për Luizin, i cili që pas fitores së “Big Brother”, vijon të mbetet ndër imazhet më të dashura për publikun.
Prania e tij në këtë event, ka elektrizuar të pranishmit, që menjëherë kanë përfituar nga momenti për t’i shkëputur një foto. Por, duket se dashamirësia e fansave, ka shkaktuar jo pak probleme, të paktën për sigurinë e këngëtarit.
Ashtu si duket edhe në foto, truprojat mezi kanë mundur që ta shkëpusin Luizin nga turma e grave që veç fotove, nuk humbin mundësinë edhe ta puthnin e bisedonin me të.
Por, teksa shumë prej të pranishmëve ishin fansa të tij, sytë dhe vëmendja e Luizit ishte vetëm për partneren e tij, Kiarën.
Çifti mbërriti së bashku në eventin e organizuar dhe përgjatë gjithë kohës nuk i janë larguar nga njëri-tjetri. Ashtu si duket edhe nga shkrepjet e paparacit tonë, një incident i vogël ka ndodhur me Kiarën te shkallët dhe menjëherë Luizi i ka ardhur në ndihmë.