3 – 0 ndaj Çekisë, Jasir Asani: Kemi besim se do të shkojmë në Euro 2024

Jasir Asani ngriti peshë tifozat e Kombëtares kur shënoi golin e parë në minutën e 10-të.

Në një prononcim për median ai pranoi se minutat e para ishin të vështira por më pas loja ishte në anën e tyre.

“Minutat e para ishin të vështira. Jam mirënjohës për tërë jetën për Sylvinho. Me këtë grup po bëjmë gjëra shumë të mëdha. Kemi besim se do shkojmë në Euro 2024”, tha ai.

Pas ndeshjes foli edhe Ylber Ramadani, që e nisi titullar ndeshjen.

“Është natë e madhe për të gjithë dhe janë tre pikë shumë të rëndësishme, u futëm për të fituar dhe jo barazuar. Kur shënuam ata sulmuan sepse ishin të dytët në grup, por për ne është një mbrëmje e madhe. Përqafova babin dhe më tha se ka mbetur edhe një ndeshje. Sot para ndeshjes fola me Ajetin dhe Gjimshitin, i thashë se unë luaja në Kosovë kur ju shkuat dhe shpresoj që edhe unë ta bëj ëndrrën realitet. Kur erdha në fillim në Shqipëri kisha vështirësi, luaja me Partizanin B për tre katër muaj, por nga aty mësova shumë. Tani e njohim shumë mirë njëri-tjetrin, kundërshtarët nuk kanë shumë shanse, bënë vetëm golin me dorë dhe asgjë tjetër. Fitoren ia dedikoj Zotit dhe pastaj familjes sime”, u shpreh Ramadani.

Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 3-0 kundër Çekisë në “Air Albania”, për grupin E të Euro 2024. Në stadiumin e tejmbushur të Tiranës vendosi goli i Jasir Asanit në minutën e 10-të dhe dopieta e Taulant Seferit në minutat 51 dhe 73. Me këtë sukses djemtë e Sylvinhos ngjiten me 13 pikë në krye të grupit dhe janë me një këmbë në fazën finale të “Gjermani 2024”.


Shtuar 12.10.2023 23:21