Një gardh është bërë shkak për konfliktin mes tre familjeve në Lanasbregas, Njësia Administrative Dajt.
Bajram Fejza, ka një banesë 80 metra katrorë me certifikatë pronësie si dhe 252 m 2 truall. Bajrami ka aplikuar 2 herë pranë Njësisë Administrative Dajt për leje për rrethim prone, por nuk e ka zbatuar sepse dy familjet Hamdi Biraci dhe Agim Alldervishaj nuk e lejojnë.
Denoncuesja: Babai im quhet Bajram Fejza. Ka një pronë, e cila ndodhet në Lanabregas që e përfshin komuna Dajt. Për këtë pronë, kam një certifikatë pronësie për 84 metër që është ndërtesë, si dhe certifikatën e truallit 252 metër katrorë. Problematika është se në momentin që unë legalizova dhe hipotekova shtëpinë e babait, vendosa që të bëj rrethim të pronës. Mora një zyrë ligjore dhe vendosa dhe piketat. Komshinjtë, në momentin që unë shkova të kryej punimet, arritën dhe i prishën. Bëra denoncim për “shkatërrim prone”. Komisariati 4 më tha që letrat janë referuar prokurorisë. Çdo gjë ngeli pezull. E ndodhur në këto kushte, kur nuk po bëja asgjë dhe nuk po merrej asnjëlloj mase, ritentoj të marr dhe një letër tjetër për kryerje punimesh.
Gazetarja: Më 2 Gusht 2022. Besoj se pas kësaj leje, ke filluar punimet?
Denoncuesja: Po, shkova lart, mora një punëtor dhe fillova të vendos kolonat. Duke vendosur të dytën, më vjen Agim Alldervishi, komshiu, dhe i thotë punëtorit që “urgjentisht të ndalosh punimet”. Njoftova 129 dhe përfunduam tek Komisariati nr.4. U bë e njëjta gjë, prapë pezull.
Gazetarja: Mos më thuaj që ke marrë dhe një leje tjetër?
Denoncuesja: Po.
Gazetarja: Më datë 29 Gusht 2023 dhe çfarë po pret tani?
Denoncuesja: Unë erdha tek “Stopi” sepse nuk kisha asnjëlloj mundësi tjetër për ta zgjidhur. Afër shtëpisë janë 2 kufizues, motër dhe vëlla, Hamdi Biraçi, Agim Alldervishi. Ne kemi pasur një kufi që ndahej pjesa ime me Hamdi Biraçin dhe kufiri ndarës vinte deri këtu. Këtë pjesën e ka hequr Agim Alldervishi, ka qenë një hekur. Unë kërkoj të rrethoj pronën time sepse ndihem e rrezikuar dhe e kërcënuar nga këto 2 komshinj. Pres që me këto me makinë mund të më futen drejt e në shtëpi. Shikoji gomat e makinës. 2 herë kam bërë rrethimin e 2 herë ma kanë prishur. Çdo gjë ma ka shkatërruar këtu përpara. Kemi pasur një derë të përbashkët. Është gjynah i Zotit, dera ime rri gjithmonë e hapur.
Ditën e djeshme, për çështjen e gardhit të Bajram Fejzës, Njësia Administrative Dajt me topografin e saj dhe një tjetër privat, tentoi të vendoste piketat, por nuk shkoi siç duhej.
Denoncuesja: Sa herë do të paguaj unë topograf që të vijë këtu lart se nuk e kuptoj?
Topografi: Po çfarë të them unë?
Gazetarja: Herën e fundit që biseduam më thatë që “më duhet një dokumentacion përsa i përket hartës treguese”. E keni të lëshuar më datë 25 Shtator 2023, të rifreskuar. Cili është problemi që nuk e lexoni? Ka 2 mundësi, ju ose nuk dini të lexoni, ose jeni të përfshirë.
Topografi: Ke të drejtë të thuash çdo gjë tani. Unë shikoj këto të ALUIZNI-t që çunat erdhën për të bërë piketimet…
Gazetarja: Është e 2017 ajo. Ti e doje të 2023-shit. Aplikuam tek Kadastra dhe e morëm, lexoje të lutem.
Topografi: U informova sot me këtë.
Gazetarja: Fillo piketat.
Edhe pse ligji ia njohu të drejtën e pronësisë denoncuesve të rastit, piketat u penguan nga pala tjetër që nuk lejon punimet. Por “Stop” vë në lëvizje policinë dhe njësinë dhe vihen piketat e gardhit. Në këtë moment, familjet e tjera bëjnë sherr, duke goditur Bajramin dhe policia shoqëron dy persona. Pas një situate të ndezur, më në fund vendoset gardhi rrethues në prani të IMT-së dhe policisë.
/Albeu.com