Eriselda Sefa “çudit” të vdekurit! Diçka nuk shkon në tenderin për zgjerimin e varrezave

Nga AlbEu.com

Kur institucionet publike organizojnë një tender e bëjnë këtë duke patur parasysh se kontraktimi i një kompanie private për të bërë punë publike do të mundësojë realizimin e projektit përmes një menaxhimi e cilësie më të mirë si edhe me një çmim relativisht më të ulët nga fondi limit i përllogaritur.

Kjo, sipas logjikës së tenderit, do të vijë përmes garës mes ofertuesve, të cilët do të përpiqen që të bindin kontraktuesin për të fituar tenderin duke ofruar pikërisht cilësinë dhe çmimin e mirë.

Mirëpo, ndodh ndodh ndonjëherë që për shkaqe që lidhen kryesisht me keqpërllogaritjen nga kontraktuesi apo qëllimin për të abuzuar nga ofertuesi, që oferta të jetë aq e ulët sa ngre pikëpyetje të mëdha mbi realizimin final të projektit.

Këto quhen në gjuhën teknike edhe “oferta anomalisht të ulëta”, që tregojnë se kontraktuesi nuk beson se me çmimin tepër të ulët të ofruar nga privati, të bëhet një punë që përmbush kërkesat teknike.

Pikërisht, një fenomen i tillë duket se ka ndodhur në tenderin e organizuar nga Bashkia Lushnje me qëllim zgjerimin e varrezave në lagjen “Çlirim”.

Bashkia kishte përllogaritur një fond limit prej 44 972 000 lekë për këtë tender dhe fitues mes 12 ofertuesve u shpall kompania “LLAZO” shpk, e cila mori përsipër kryerjen e punimeve kundrejt shumës 28 862 226 lekë!

Kjo është një shumë përafërsisht sa 60 për qind e fondit limit, ç’ka hedh hije të rënda dyshimi ose mbi cilësinë e punimeve që do të kryhen ose me paaftësinë e inxhinierëve të bashkisë për të përllogaritur koston totale të punimeve, e cila nuk mund të ketë një diferencë kaq të madhe!

Shiko PREVENTIVIN 

Mbetet për t’u parë se si do të kryhen punimet për zgjerimin e varrezave në Lushnje, dhe nëse vërtetë janë cilësore, atëhere Eriselda Sefa duhet të ndërrojë inxhinierët! /albeu.com


Shtuar 8.09.2023 16:35