Ambasada e Francës: Mesazhi i Macron ishte miqësor dhe i qartë, Kosova dhe Serbia kanë shumë për të humbur

Një deklaratë e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, e thënë gjatë një fjalimi para ambasadorëve francezë nëpër botë, ka nxitur shqetësime se liberalizimi i vizave mund të shtyhet, nëse Kosova dhe Serbia s’veprojnë me përgjegjësi karshi dialogut për normalizim të raporteve dhe gjendjes në veri.

Ambasada e Francës në Prishtinë në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se deklarata e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, është shumë e qartë, me shikimin përpara dhe që nënvizon perspektivë pozitive, përfshirë edhe zgjerimin.

Nga Ambasada e Francës në Prishtinë thonë se deklarata e presidentit të Francës është një mesazh miqësor dhe i vendosur që tregon për të dy vendet se ka shumë për t’u humbur.

Ambasada e Francës gjithashtu ka theksuar se Parisi zyrtar mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe pret nga të dy palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive. Kjo kanë thënë se padyshim përfshinë Kosovën, prej të cilës Franca pret edhe masat e de-eskalimit.

“Franca mbështet plotësisht lehtësimin evropian dhe pret nga të dy palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog. Kjo përfshinë padyshim edhe Kosovën, prej të cilës ne gjithashtu presim masat e de-eskalimit. Qëndrimi i presidentit Macron ishte shumë i qartë dhe ne iu inkurajojmë juve që ta shikoni atë në tërësinë e tij: është me shikim përpara, nënvizon një perspektivë pozitive, përfshirë zgjerimin, dhe është një mesazh miqësor dhe i vendosur për të dy vendet, që ka shumë për t’u humbur”, kanë thënë nga Ambasada e Francës për Gazetën Express, duke bashkëngjitur edhe pjesën e fjalimit të presidentit Macron të dhënë më 28 gusht.

 “Ne do të vazhdojmë të jemi shumë vigjilentë për situatën e sigurisë dhe atë politike në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, ne kemi ndërtuar me Gjermaninë një udhërrëfyes të ri dhe një propozim të ri për mospajtimet që kanë Serbia dhe Kosova. Unë besoj se ky udhërrëfyes është i mirë. Ai u mbështet nga  negociatori evropian dhe përfaqësuesi ynë. Prandaj ne jemi duke pritur një riangazhim të qartë nga të dy palët, e kam fjalën për riangazhim për zgjedhjet e pritura komunale, një riangazhim serb lidhur me institucionet, njohje të komunave, veçanërisht në veri nga ana e institucioneve kosovare, një qetësim të situatës, dhe e them këtë sepse Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët. Por ne do të vazhdojmë me partnerët tonë gjerman që të jemi shumë vigjilent për këtë çështje dhe për gjithçka që lidhet me stabilitetin e  Ballkanit Perëndimor”, ka thënë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Lidhur me këtë deklaratë të preidentit të Francës kishte folur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Osmani kishte thënë se nëse ndodh shtyrje e liberalizimit të vizave për Kosovën, atëherë kjo do të nënkuptonte “vrasje të dialogut një herë e përgjithmonë”

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani në një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë më 30 gusht.

Për këtë deklaratë të presidentit të Francës dhe përmendjen e Gjermanisë, Gazeta Express ka marrë një përgjigje nga Qeveria Federale e Gjermanisë. Berlini zyrtar kanë konfirmuar se s’kanë ndërruar qëndrim dhe se përkrahin vendimin e Këhsillit të Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave, vendim ky që i garanton Kosovës lëvizjen e lirë nga 1 janari 2024./GazetaExpress/


Shtuar 8.09.2023 16:15