Pas shtyerjes së ndeshjes së parë për shkak të impenjimit në Europë, Partizani zbriti sonte në fushë për të parën herë për këtë edicion të Superiores, duke fituar 1-0 ndaj Laçit në “Arenën e Demave”. Debuton trajneri Skerdi Bejzade në krye të laçjanëve, me teknikun që nis kështu me humbje aventurën te ekipi nga Kurbini.
Në minutën e 21-të, Qirko bën heroin, duke shpëtuar skuadrën nga një gol i sigurt, pas gjuajtjes së Sobowale. Vetëm 3 minuta më pas, Cara vendosi në provë portierin Dajsinani, por ky i fundit neutralizoi sferën.
Kurbinasit patën shansin e artë për të shkuar në dhomat e zhveshjes në avantazh, por Bajrami gaboi shënjestër nga fare pranë portës. Fillimi i pjesës së dytë sheh Partizanin protagonist, gjithsesi, as Murataj nuk veproi si duhet para porte, duke shpërdoruar një rast të mirë.
Goli me peshën e fitores erdhi vetëm në minutën e 90-të, falë Maguette. Me këtë rezultat, Partizani ka 3 pikë dhe është në vendin e pestë. Laçi ka grumbulluar një pikë dhe është në pozicionin e tetë.