“I forti” në Tiranë s’pyet për ligj, 37-vjeçari thyen arrestin e shtëpisë, i gjendet kokainë dhe pistoletë (VIDEO)

Marlen Gutici, 37-vjeç, edhe pse në “arrest shtëpie”, është arrestuar nga policia mbrëmjen e djeshme në rrugën “Foto Xhavella”.

Policia njofton se Gutici është ndaluar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Foto Xhavella”, dhe gjatë kontrollit fizik, i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Pas verifikimeve ka rezultuar se 37-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjet një armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me lëndën narkotike kokainë dhe një peshore elektronike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/

 


Shtuar 30.08.2023 09:35