Paralajmërojnë 4 shtetet e NATO-s: Do të mbyllim kufirin me Bjellorusinë në rast incidentesh

Polonia dhe tre shtetet baltike paralajmëruan sot se do të mbyllin kufijtë e tyre me aleatin e Rusisë Bjellorusinë në rast të ndonjë incidenti ushtarak ose presionit të rëndë të emigrantëve nën ndikimin e Minskut.

Ministrat e brendshëm të Polonisë, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë thanë në një deklaratë të përbashkët se po vërejnë tensione në rritje në kufijtë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian me Bjellorusinë, e cila ka pranuar mijëra mercenarë nga grupi paraushtarak rus Wagner dhe po inkurajon emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika për të hyrë në BE pavarësisht barrierave.

Katër anëtarë të NATO-s dhe BE-së, të cilat mbështesin Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus, u kanë kërkuar autoriteteve të Bjellorusisë që të largojnë menjëherë mercenarët e Grupit Wagner nga territori i saj.

Ata gjithashtu i kërkuan Minskut largimin e emigrantëve nga zonat kufitare dhe kthimin e tyre në vendet e tyre të origjinës, duke paralajmëruar se një reagim i shpejtë do të pasonte në rast të një incidenti ushtarak ose një fluks të madh emigrantësh.

Vdekja e papritur e javës së kaluar e liderit të grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin në një aksident avioni në Rusi, ngriti pikëpyetje për të ardhmen e paraushtarakëve mercenar, të cilin ministri i brendshëm polak Mariusz Kaminski e përshkroi si “jashtëzakonisht të rrezikshëm” dhe “të demoralizuar”. Ai tha gjithashtu se mercenarët e Wagner përbëjnë një kërcënim për qytetarët e Bjellorusisë dhe për të gjithë rajonin.

Sipas një dekreti të publikuar në faqen e internetit të Kremlinit të premten, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi luftëtarët e Wagner të nënshkruajnë një betim për besnikëri ndaj shtetit rus.


Shtuar 28.08.2023 18:47