Nga James Kynge “Financial Times”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Kur udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, mbajti një “fjalim të rëndësishëm” në OKB në shtator 2021, u duk sikur ai paraqiti pak më shumë se sa një listë klishesh të këndshme. Ai tha se bota kishte nevojë për “harmoninë midis njeriut dhe natyrës”, dhe shtoi se zhvillimi ekonomik duhet të sjellë “përfitime për të gjithë”.
Aq i rezervuar në çështje specifike ishte fjalimi i tij sa që mediat ndërkombëtare në përgjithësi e injoruan. Megjithatë, në kuadër të zhvillimeve të mëvonshme, ai fjalim ka marrë një rëndësi vendimtare.
Kjo sepse Xi e përdori atë për të propozuar një skemë të re të quajtur Nisma për Zhvillimin Global (GDI), e cila tani po fiton njohjen si një gur themelit në planin e Kinës për një rend botëror alternativ, që synon të sfidojë atë të perëndimit të udhëhequr nga SHBA-ja.
Me sa duket, GDI është një program shumëpalësh i udhëhequr nga Kina për të promovuar zhvillimin, ulur varfërinë dhe të përmirësuar shëndetin e njerëzve në vendet në zhvillim. Por
së bashku me dy nisma të shpallura pak më vonë po nga Xi – Nisma e Sigurisë Globale dhe Nisma e Qytetërimit Global – ajo përfaqëson lëvizjen më të guximshme të Kinës për të marrë mbështetjen e “Jugut Global” për të përforcuar zërin e Pekinit në skenën botërore, dhe për të ndërtuar profilin e Kinës në OKB, thonë zyrtarët dhe analistët kinezë.
“Iniciativat e Xi-së tregojnë synimin e qartë të Kinës për të përditësuar rregullat e qeverisjes globale, të cilat u shkruan nga Perëndimi pas Luftës së Dytë Botërore. Ato e ndihmojnë Pekinin të krijojë hapësirën e tij në çështjet ndërkombëtare, pasi ai është plotësisht i bindur se marrëdhëniet e Kinës me Perëndimin kolektiv do të mbeten të trazuara për një dekadë në vijim”-thotë Yu Jie, studiuese Chatham House, një institut mendimi me seli në Londër.
Çelësi i planit kinez është institucionalizimi i qëndrueshëm i lidershipit të saj mbi botën në zhvillim duke krijuar, zgjeruar dhe financuar një sërë grupimesh vendesh të udhëhequra nga Kina. Zyrtarët dhe analistët kinezë shtojnë se synimet e kësaj strategjie janë kryesisht të dyfishta: të sigurohet që një pjesë e gjerë e botës të mbetet e hapur ndaj tregtisë dhe investimeve kineze, dhe së dyti të përdoret vota e vendeve në zhvillim në OKB dhe në forume të tjera për të projektuar fuqinë dhe vlerat kineze.
Për herë të parë, Kina eksportoi më shumë në fillim të këtij viti në botën në zhvillim – e përfaqësuar nga vendet që përbëjnë Nismën e Brezit dhe Rrugës – sesa eksportoi në SHBA, BE dhe Japoni të marra së bashku. “Kina do të jetë përherë një anëtare e familjes së vendeve në zhvillim. Ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos për ta rritur përfaqësimin dhe zërin e vendeve në zhvillim në sistemin e qeverisjes globale”- deklaroi Xi në një forum në vitin 2021.
Lista e institucioneve ndërkombëtare, në të cilat Pekini shpreson të zmadhojë ndikimin e tij
dhe për pasojë mbi botën në zhvillim, po bëhet akoma më e gjatë. Ajo përfshin OKB-në, Organizatën Botërore të Tregtisë, G-20 dhe të tjerë, thonë zyrtarët kinezë. Përveç kësaj, Pekini synon gjithashtu të zgjerojë anëtarësimin dhe të rrisë profilin e disa grupimeve në të cilat luan tashmë një rol udhëheqës, duke përfshirë Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, BRICS etj.
“Ne nuk duhet t’i shpërfillim përpjekjet e Partisë Komuniste Kineze për të krijuar një rend të ri botëror. Vendet në zhvillim me regjime autoritare, sidomos ato në konflikt me SHBA-në dhe demokracitë e tjera, po zbulojnë se rendi i ri i Kinës është i dobishëm për sundimin e tyre autoritar të brendshëm dhe politikën e tyre të jashtme”- thotë Xu Chenggang, studiues në Qendrën e Universitetit Stanfordit për Ekonominë dhe Institucionet e Kinës.
OKB-ja – me 15 agjencitë e saj të specializuara që e ushtrojnë qeverisjen globale në disa fusha si financa, telekomunikacioni, shëndeti dhe zbutja e urisë – ndodhet në “qendër” të vizionit të Kinës dhe planeve të saj për të zgjeruar ndikimin e vet, thotë një zyrtar i lartë kinez, i cili nuk pranoi të identifikohej.
Lëvizja më e rëndësishme deri tani ka ardhur në formën e një forumi të ri të OKB-së, të cilin Kina e themeloi në vitin 2020. I quajtur “Grupi i Miqve të Nismës për Zhvillim Global”, ai ka rreth 70 vende anëtare, ka mbajtur takimin e parë në nivel ministror dhe ka marrë miratimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.
Lista e plotë e vendeve anëtare është konfidenciale, thotë një zëdhënës i OKB-së dhe zyrtarë kinezë. Por një listë e përpiluar nga “Financial Times” me 20 vende që besohet se janë anëtarë, tregon se grupi përfshin shumë nga debitorët më të mëdhenj të Kinës nën nismën BRI.
Përmes kësaj të fundit, institucionet financiare kineze kanë dhënë që nga viti 2013 rreth 1 trilionë dollarë hua, kryesisht për projekte infrastrukturore në botën në zhvillim. Një studim nga AidData, një institut kërkimor me bazë në SHBA, tregon se 20 vendet në listë kanë shfaqur një besnikëri mbresëlënëse ndaj Kinës në formën e votave në OKB.
Gjatë viteve 2013-2020, secili prej tyre ka votuar sipas qëndrimeve të Kinës në të paktën 75 për qind të rasteve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, organi kryesor politikë-bërës që lëshon rekomandime për krizat globale, menaxhon emërimet e brendshme të OKB-së dhe mbikëqyr buxhetin e OKB-së.
Një besnikëri e tillë, përfaqëson një burim që Kina mund të përdorë në votimet e ardhshme të OKB-së, thotë Courtney Fung, eksperte e OKB-së në Institutin Loui me bazë në Australi. “Kina mund t’i shfrytëzojë këto marrëdhënie gjatë votimeve apo debateve në OKB për të mbështetur dhe nënvizuar faktin se sa të mirë-pranuara janë pozicionet e Kinës brenda sistemit të OKB-së”-thotë Fung.
Një nga fokuset e strategjisë së Kinës në OKB është lobimi. Zyrtarët kinezë thonë se nëse Pekini ia del të sigurojë besnikërinë e shumicës së 152 vendeve në zhvillim – nga 193 shtete anëtare të OKB-së – ai do të mbizotërojë dhe përkatësisht do të forcojë zërin e tij në çështjet botërore.
Po ashtu Kina ka filluar të përdorë “Grupin e Miqve të Nismës për Zhvillim Global” për të promovuar përkufizimet e veta të koncepteve kryesore, në një përpjekje për të nënvlerësuar ato të përdorura nga perëndimi i udhëhequr nga SHBA. Njëri prej tyre është “multilateralizmi i vërtetë”, përmes të cilit Pekini ka në plan t’i kundërvihet asaj që e sheh si hegjemonia amerikane.
Marrë me shkurtime
/albeu.com