Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, ku u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në drejtësi, forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe përparimin e reformave institucionale.
Gjatë bisedës, ministrja nënvizoi se reforma në drejtësi është një proces vendimtar për ndryshimin e sistemit, rritjen e integritetit të institucioneve dhe garantimin e përgjegjësisë përpara ligjit.
Të lidhura
None found
Ndër çështjet e përmendura prej saj ishin themelimi dhe funksionalizimi i Byrosë, zbatimi i procesit të Vetingut, avancimi i pakos së projektligjeve për Reformën në Drejtësi, si dhe përmbyllja e legjislacionit civil.
“Themelimi dhe funksionalizimi i Byrosë, jetësimi i procesit të Vetingut, avancimi i pakos së projektligjeve të Reformës në Drejtësi dhe finalizimi i legjislacionit civil janë pjesë thelbësore e këtij angazhimi të përditshëm, për të ndërtuar institucione më të forta, për të garantuar llogaridhënie reale dhe për të dëshmuar se askush, pavarësisht emrit, pozitës apo pushtetit, nuk qëndron mbi ligjin”, ka deklaruar Gërvalla.
Gjatë takimit u trajtua edhe përfundimi i Marrëveshjes me Austrinë për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale. Sipas Gërvallës, finalizimi i saj do të shënonte një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
“Theksova edhe rëndësinë e finalizimit të Marrëveshjes me Austrinë për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale, si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e ekstradimit, ndihmës së ndërsjellë juridike dhe transferimit të personave të dënuar”, ka thënë Gërvalla.
Ministrja vlerësoi rolin e Austrisë si një partnere të rëndësishme të Kosovës në procesin e reformimit dhe në forcimin e institucioneve të drejtësisë.

“Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona i shërben forcimit të kapaciteteve shtetërore, avancimit të reformave dhe konsolidimit të një sistemi drejtësie që garanton sundimin e ligjit, integritetin institucional dhe përgjegjësinë para ligjit”, ka përfunduar ministrja Gërvalla.






