Në Rusi ose do të vdesë Prigozhin, ose do të ketë një grusht shteti të dytë

Nga Eduard Luce “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Edhe pse ndodhet në lartësinë mbi 2400 metra mbi nivelin e detit, qyteti i Aspen në SHBA po përjeton një pasdite me temperatura përvëluese. Christo Grozev, gazetari kryesor investigativ mbi Rusinë në portalin “Bellingcat” – që ka zbuluar komplote dhe atentate të Moskës – kërkon falje që u vonua rreth 20 minuta, pasi sapo kishte përfunduar një udhëtim 5-orësh deri në Rockies nga Denver.

Ai thotë se ka qenë “koha e parë e rëndësishme” që ka kaluar me familjen e tij që nga shkurti, kur u detyrua të largohej nga Vjena pasi autoritetet austriake i thanë se nuk mund të garantonin më sigurinë e tij. Pavarësisht se është bullgar, Grozev akuzohet nga gjykatat e Vladimir Putinit si një “agjent i huaj”, pra një armik i Rusisë.

Pasi peshoi opsionet e tjera evropiane, Grozev arriti në përfundimin se Amerika ishte vendi më i sigurt për të jetuar. Ndërkohë familja e tij vazhdon të qëndrojë në Evropë. Si unë edhe Grozev ndodheshim atje për të marrë pjesë në Forumin e Sigurisë në Aspen, një mbledhje e establishmentit të sigurisë kombëtare të Amerikës, në të cilën Rusia e Putinit ishte në fokusin kryesor.

Ekspozimi i metodave të errëta të Putinit ka qenë pikë e fortë e portalit investigativ “Bellingcat”. Grozev ishte pjesë e ekipit që fitoi një çmim Oskar këtë vit për dokumentarin mbi tentativën për vrasjen e figurës kryesore të opozitës ruse, Alexei Navalny, tashmë i burgosur.

Duke shfrytëzuar korrupsionin e madh në Rusi, Grozev shtiu në dorë të dhënat nga fluturimet, pasaporta false të lëshuara nga shërbimet sekrete dhe të dhëna të tjera për të provuar se Navalny ishte helmuar me Novichok me urdhër të vetë Putinit.

Po ashtu “Bellingcat” hetoi mbi vrasjen e Boris Nemtsov, një tjetër disident rus, duke nxjerrë në pah se si agjentët e GRU (shërbimi sekret ushtarak i Rusisë) ishin përpjekur në vitin 2018 të vrisnin Sergei Skripal, një ish-agjent rus dhe vajzën e tij në shtëpinë e tyre në Salisbury të Britanisë së Madhe, me të njëjtin agjent nervor.

Ndonëse ai nuk mund të cilësohet si një “tradhtar” – kategoria më e rrezikuar e shtetasve rusë, të cilët kanë thuajse pa asnjë dallim një fund të dhimbshëm – Moska e sheh Grozev si një kërcënim. Ai është rikthyer dy herë në Austri nën masa të rrepta sigurie.

Herën e dytë në mars të këtij viti, pasi i kishte vdekur babai, policia i tha se ishte shumë e rrezikshme që të shkonte në varrim. Ai u lejua vetëm për një kohë të shkurtër të takonte familjen e tij i shoqërua nga një drejtues policie në një shtëpi të sigurt në Vjenë.

Pasi rusët e paditën “në mungesë”, ai postoi një video selfie nga Palm Beach, Florida, në sfondin e perëndimit të diellit. E pyes nëse është Austria shteti më pak i sigurt në Evropë

për kundërshtarët e Rusisë? “Po”- përgjigjet ai. “Kur ne si “Bellingcat” po investigonim austriakët, ata po më përgjonim dhe në atë kohë unë nuk isha në dijeni për këtë. Ata po e bënin këtë me kërkesën e hapur të rusëve. Kjo flet për një depërtim të thellë të agjencive ruse të sigurisë në Austri”- shprehet Grozev.

Më bën përshtypje që ai gjendet potencialisht në një dilemë si ajo e Salman Rushdie. Ai nuk do ta dijë kurrë me siguri se kur është e sigurt që të rikthehet në jetën normale. Po çfarë lloj masash paraprake sigurie merr zakonisht?. “Unë e di kur jam duke u survejuar, por për këtë nuk do të hyj shumë në detaje. Ajo që më ndihmon është paparashikueshmëria. Nuk kam një axhendë të caktuar për asnjë ditë të caktuar. Dhe kjo ua bën të vështirë atyre që merren me mbikëqyrjen time”- thotë ai.

E pyes Grozev nëse mendon se Rusia zotëron mjetet e duhura për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së vitin e ardhshëm. Ai përgjigjet pa u menduar shumë: “Strategjia e Putinit në luftën e Ukrainës është e qartë. Ai do të shtyjë çdo rezultat ushtarak deri në zgjedhjet në SHBA, duke shpresuar që mbështetja perëndimore do të zbehet nga një fitore e Trump”.

Përpjekja për një grusht shteti pak javë më parë nga Yevgeny Prigozhin, ish-kuzhinieri i Putinit, perandoria financiare e të cilit përfshinte grupin mercenar ushtarak Wagner, u parashikua nga Grozev. “Unë e thashë që në janar se Prigozhin do të kthehej kundër Putinit brenda 6 muajve dhe ajo që e ndodhi e vërtetoi parashikimin tim”- thotë ai.

Ai dyshoi për atë përpjekje për grusht shteti që më 23 qershor, kur pati një fluks të lartë komunikimesh telefonike midis rangjeve të larta të ushtrisë ruse, një grumbull të dhënash të cilat “Bellingcat” i siguron ndonjëherë përmes pagesës (ndonëse Grozev këmbëngul se kërkon gjithmonë një burim të dytë për të verifikuar pretendimin).

Duke e lënë tani për tani rehat Prigozhin, a nuk duket Putin më i dobët? “Putin doli në televizion dhe e quajti Prigozhin tradhtar. Dhe të gjithë e dinë se çfarë bëjnë rusët me ‘tradhtarët’ por Putini nuk e ka bërë ende këtë. Ai dëshiron që ta shohë të vdekur.

Por ende nuk mund të veprojë. Unë parashikoj që pas 6 muajsh Prigozhin ose do të ketë vdekur ose do të kemi një grusht shteti të dytë. Unë jam në dilemë midis të dyjave, por besoj se do të ndodhë njëra ose tjetra”- thotë gazetari investigativ.

Meqenëse Grozev flet rrjedhshëm rusisht dhe bisedon çdo ditë me burimet e tij atje, jam kurioz të di se nga mendon ai se do të vijë përpjekja e radhës për një grusht shteti. “Unë nuk mendoj se asnjë pjesë e elitës, përveç kompleksit industrial ushtarak, nuk sheh ndonjë kuptim në këtë luftë. Por ata nuk po flasin sepse janë peng i dilemës së të burgosurit. Ata nuk duan të jenë të parët apo të vetmit që lëvizin”- përgjigjet ai.

Ai përmend rastin e gjeneralit rus Ivan Popov, që kohët e fundit kritikoi “operacionin special ushtarak” të Putinit dhe që atëherë është zhdukur. “Unë jam vërtet i shqetësuar për fatin e tij”- thotë Grozev. Por cili mund të jetë katalizatori në përpjekjen e radhës për të dëbuar Putinin nga pushteti?

“Gjërat mund të zhvillohen në një nga dy mënyrat. Ose mund të marrë fund dilema e të burgosurit, ose ata do ta heqin qafe Putinin nëpërmjet një grushti shteti më të koordinuar. Kjo ndarje nuk ekziston ende midis oligarkëve apo tek ndonjë nga ministrat dhe drejtuesit e FSB-së. Por për pjesën tjetër të elitës është e pakëndshme të jetojë si në Korenë e Veriut me llogaritë e tyre bankare të ngrira në bankat perëndimore”- gjykon ai.

Pak para se të ngrihemi nga tavolina dhe të rikthehemi të ndjekim punimet e konferencës, i bëj Grozev një pyetje të fundit: çfarë është ajo që e motivon atë të vazhdojë me një ekzistencë kaq të rrezikshme? Pas një reflektimi për një moment, gazetari i njohur iu rikthye perspektivës së brishtë të Putinit.

“Dëshmia se modeli rus është i kufizuar dhe se një ditë do të shpërthejë, do të trembte shumë diktatorë të tjerë të padëshiruar dhe do t’i bënte ata të ri-mendonin qasjen e tyre. Të paktën kjo është ajo që unë shpresoj se do të ndodhë”- përfundon ai.

Marrë me shkurtime

/albeu.com

 


Shtuar 15.08.2023 14:44

Tags: