Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bradhi ka reaguarnë lidhje me megaoperacionin e urdhëruar nga SPAK në disa qytete në vendin tonë.
Deri më tani janë arrestuar 6 persona, zyrtarë dhe biznesmenë. Të arrestuarit janë: Oltion Bistri ish shef i operacionales, prokurori i Kukësit Xhevahir Lita, Astmer Bilali anëtar i bandës së Bajrave, Ardit Hasanbenga ish-shef i seksionit për krimet, Pëllumb Gjoka biznesmen dhe Edmond Lika.
Në reagimin e tij, Gazment Bardhi, ka përshëndetur aksionin e SPAK ku u arrestua Pëllumb Gjoka, ndërsa u shpreh se grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nxit SPAK të verifikojë të gjitha favoret qeveritare të kryeministrit, Edi Rama.
Sipas Bardhit, Rama në bashkëpunim me Tom Doshin i ka siguruar Gjokës licensa e deri tek statusi i investitorit strategjik.
Pëllumb Gjoka u arrestua nga SPAK për akuzat e “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
“Përshëndes aksionin e SPAK për arrestimin e një prej lidhjeve të konsoliduara me krimin e organizuar të Edi Ramës në Shkodër Pëllumb Gjokës. GPPD nxit SPAK të verifikojë të gjitha favoret qeveritare që Edi Rama, në bashkëpunim me Tom Doshin i ka siguruar këtij anëtari të krimit të organizuar, duke nisur nga licensat e deri tek statusi i investitorit strategjik. Askush mbi ligjin është më afër se kurrë”, tha Bardhi.