Rrëmbeu mësuesit turq, dënohet ish-kreu i AKI-së në Kosovë

Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për dëbim të paligjshëm të gjashtë shtetasve të Turqisë që kishin leje qëndrimi dhe leje pune në Kosovë.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prej ku iu shqiptua dënimi, u tha se Gashi shpallet fajtor për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thuhet se Gashi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat sipas kompetencës, duke rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe mosdhënien e lejes për njërin prej tyre, “për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit”.

Në anën tjetër, nga akuza janë liruar ish-drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Ramadani, dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.

Aktakuza u ngrit pasi më 29 mars të vitit 2018, përmes një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në orët e hershme të mëngjesit u arrestuan gjashtë shtetas turq.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Arrestimit dhe dëbimit i parapriu revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit, për të cilin veprim më vonë gjykata tha se ishte i jashtëligjshëm.