“Modeli serb” i bandave paramilitare si inspirim për Putinin

Nga Enver Robelli

Në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, armata e atëhershme popullore (APJ) u shndërrua në instrument për realizimin e synimeve serbomëdha. Qëllimi ishte shtrirja e Serbisë së Madhe deri afër Zarës në Kroaci dhe, në juglindje, së paku deri në Gjevgjeli, në kufi me Greqinë. Krahas APJ-së së serbizuar pushteti në Beograd krijoi njësi të tjera për të “diversifikuar” luftën.

Këto njësi drejtoheshin nga kriminelë si Arkani, i cili më parë kishte bërë një karrierë të “bujshme” nëpër Europë si vrasës me pagesë i shërbimit sekret jugosllav dhe si plaçkitës.

Një njësi e drejtonte Vojisllav Shesheli, një nga ultranacionalistët më të zhurmshëm serbë të viteve ‘80 dhe ‘90. Një njësi tjetër e drejtonte “kapetan” Dragani, një serb që ishte kthyer nga Australia për të luftuar për Serbinë e Madhe.

Arkani u vra në një hotel në Beograd më 15 janar 2000, pak muaj para se të shporrej Sllobodan Millosheviqi nga pushteti në tetor 2000. Shesheli u akuzua dhe u dënua për krime të luftës nga Tribunali i Hagës.

“Kapetan” Dragani u kthye në Australi, por më vonë, me insistimin e drejtësisë kroate, ai u ekstradua në Kroaci ku u dënua me burgim shumëvjeçar.

Lufta me njësi në dukje private ishte një përpjekje e pushtetit serb për të privatizuar luftën, duke fshehur gjurmët e shtetit, ndonëse ishte e qartë se pas Arkanit, Sheshelit, “kapetan” Draganit dhe paramilitarëve të tjerë qëndronte fund e krye udhëheqja në Beograd, e sidomos shërbimet sekrete ushtarake dhe policore.

Këtë “model serb” të bandave paramilitare duket se e ka kopjuar Vlladimir Putini, duke e autorizuar mikun e tij të deritanishëm Jevgeni Prigoshin të themelojë trupën mercenare, Wagner. Pjesëtarët e Wagnerit luftuan në emër të Rusisë në disa vende afrikane si Mali apo Republika Qendrore Afrikane dhe ndihmuan në luftimin e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare.

Pas kritikave të presidentit francez Emmanuel Macron mbi rolin e Wagnerit në Afrikë dhe kërkesave në BE për të vënë Wagnerin në listën e grupeve terroriste, Prigoshin deklaroi se “njerëzve si Macroni duhet nxjerrë me dara dhëmbët e kalbur”. Trupa paramilitare e Putinit, e drejtuar nga Prigoshini, ishte aktive edhe në Siri. Zyrtarisht shteti rus sillej sikur s’kishte të bënte asgjë me Wagnerin, madje nuk dihej kush e drejton këtë bandë paramilitare.

Lufta në Ukrainë ndryshoi shumëçka.

Prigoshini e pranoi hapur se e drejton këtë trupë, në opinion u shfaqën incizime ku ai shihej duke rekrutuar luftëtarë nëpër burgjet ruse. Roli i Wagnerit u bë gjithnjë e më i rëndësishëm në Ukrainë pas dështimit kolosak të armatës së rregullt ruse për të pushtuar Kievin.

Prigoshin u lavdërua se ai e kishte futur nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit të Bahmutit në Ukrainë. Dhe njëkohësisht, me kalimin e kohës, nisi të kritikojë ashpër ministrin e Mbrojtjes, Sergej Shojgu, dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valeri Gerasimov.

Në një video Prigoshin shihet para kufomave të mercenarëve të tij të vrarë ndërsa akuzonte Shojgunë dhe Gerasimovin për dështim në frontin e luftës. Prigoshini ishte “idiot i dobishëm” për Putinin për aq kohë sa e kritikonte ushtrinë për dështime në Ukrainë. Me rritjen e ndikimit të Wagnerit, Prigoshinit iu rritën edhe ambiciet. Dhe gjatë fundjavës përbindëshi që e kishte krijuar vetë i doli nga dora Putinit.

Lehtësia me të cilën trupat e Wagnerit marshuan pothuaj të papenguara nga kufiri i Ukrainës drejt Moskës shpalosi shumë dobësi në sistemin rus të sigurisë.

Faqe botës Putini u shpërfaq si lider i dobët që rrezikohet nga një njësi paramilitare. Hutia e madhe që mbretëroi në Moskë gjatë fundjavës shihej edhe në reagimet e Putinit.

Së pari iu drejtua popullit duke e akuzuar Prigoshinin për tradhti (pa ia përmendur emrin).

Autoritetet ruse paralajmëruan hetime ndaj tij. Sa më shumë që Prigoshin përparonte drejt Moskës, aq më i madh paniku në Kremlin. Në negociatat e fshehta, të cilat i drejtoi diktatori bjellorus Aleksander Lukashenko, Prigoshinit befas iu garantua amnistia nga ndjekja penale dhe largimi i sigurt në Bjellorusi.

Kjo ikje është një ironi e madhe: para disa vitesh Lukashenko kishte arrestuar disa pjesëtarë të Wagnerit të cilët i akuzonte për përpjekje për rrëzimin e pushtetit në Minsk.

Tani shefi i Wagnerit është mysafir i Lukashenkos. Nuk dihet se cili do të jetë fati i Prigoshinit në të ardhmen pas poshtërimit që ia bëri Putinit. Ai mund të pijë ndonjë çaj në Minsk i cili mund t’ia marrë jetën. Mund të bie nga dritarja. Mund të vdesë në ndonjë aksident.

Kjo nuk është e thënë të ndodhë menjëherë. Pas poshtërimit në fundjavë Putini si ish-agjent i KGB-së me siguri do të bëjë plane për hakmarrje. /albeu.com


Shtuar 27.06.2023 10:12