Tentuan grusht shteti, por grupi “Wagner” vazhdon të “punojë” për Moskën

Grupi paraushtarak rus “Wagner” do të vazhdojë të operojë në Mali dhe Republikën e Afrikës Qendrore, tha sot ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke shtuar se rebelimi i grupit në Rusi të shtunën nuk do të ndikojë në marrëdhëniet ruse me aleatët e saj.

“Anëtarët e “Wagner” punojnë në Mali dhe Republikën e Afrikës Qendrore si instruktorë. Kjo punë, natyrisht, do të vazhdojë”, tha Lavrov në një intervistë për kanalin RT.

Ministri rus tha se këto dy vende i kërkuan Rusisë dhe “Wagner”-it ndihmë në trajnimin e instruktorëve ushtarakë pasi ata ishin “braktisur nga Evropa dhe Franca”.

Perëndimi beson se “Wagner” është një instrument i ndikimit të Rusisë vetëm në interesat e saj në konkurrencë me interesa të tjera nga Evropa.

Ky grup i armatosur akuzohet për abuzime dhe për vjedhje të burimeve natyrore të Afrikës.

Lavrov tha se rebelimi i armatosur i liderit Wagner Yevgeny Prigozhin dhe njerëzve të tij të dislokuar në Ukrainë nuk do të ndryshojë asgjë në marrëdhëniet e Rusisë me aleatët e saj, se marrëdhëniet me “aleatët dhe miqtë” nuk kanë ndryshuar, ndërsa marrëdhëniet e Rusisë me të gjithë Perëndimin kanë qenë tashmë të shkatërruara.


Shtuar 26.06.2023 17:39