Një makinë e cila po ndiqej nga patrulla e policisë dhe nuk pranoi të ndalonte për kontroll, përplasi një automjet tjetër duke lënë të vdekur një 32-vjeçare e cila udhëtonte me motrën dhe një shoqe.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës në rrugën Montelabbatese, pak kilometra nga qendra e Pesaros.
Për shkak të përplasjes, makina ku ndodhej 32-vjeçarja u përmbys.
Ndërsa në BMW e cila u arratis, ndodhej një 27-vjeçar nga Maqedoniae Veriut, i cili gjithashtu humbi jetën në aksident dhe një 27-vjeçar shqiptar, i cili mbeti i plagosur rëndë.
Makina me të cilën udhëtonin dy 27-vjeçarët dhe një person tjetër, u konsiderua e dyshimtë nga policia, e cila i kishte bërë thirrje të ndalonte.
Më pas nisi një ndjekje për 2-3 kilometra dhe BMW vazhdoi të ecte me shpejtësi shumë të madhe.
Sipas medieve italiane, e plagosur ka mbetur edhe motra e viktimës 32-vjeçare.
27-vjeçari shqiptar që mbeti i plagosur do të merret në pyetje nga hetuesit për të zbuluar shkaqet e arratisjes.
Pas aksidentit, në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit, policia lokale dhe karabinierët, si dhe mjekët që kanë ndihmuar të plagosurit.
/Albeu.com/