Terry tregon “hilet” e Mourinhos: Mësova shumë nga ai

José Mourinho është një mjeshtër i vërtetë i taktikës, aq sa ndikoi shumë në formimin e një brezi trajnerësh që u rritën me mësimet e tij. Midis tyre është John Terry, ish-kapiteni i Chelsea-t, kampion i Anglisë nën drejtimin e trajnerit portugez. Asistenti aktual i Dean Smith tek Aston Villa tregoi për “The Times” disa prapaskena nga koha e tij e suksesshme në “Stamford Bridge”.

“Kur José Mourinho mbërriti për herë të parë te Chelsea, zbriste në fushë që në orën 8 të mëngjesit, vendoste në vendet e tyre birilat dhe topat, madje sigurohej që të mos mungonin pijet e duhura dhe jelekët e stërvitjes. Mbaja shënim gjithçka që ai thoshte në takimet me ekipin dhe çfarë bënte në stërvitje. Kam mësuar shumë prej tij”.

Terry gjithashtu ka mësuar disa hile shumë të veçanta, të cilat tregojnë se sa shumë njohuri kishte trajneri portugez, që tashmë do të drejtojë Romën.

“Ai gjithmonë na thoshte, mua dhe Gary Cahillit, se nëse pesë minuta përpara fundit të takimit do të ishim duke fituar 1-0 dhe do të vinte një krosim, të dy duhej të luftonim me kokë dhe më pas të qëndronim të shtrirë në tokë.

“Nëse rrëzoheni të dy, gjyqtari nuk mund t’ju nxjerrë nga fusha. Në fakt, ne nuk e dinim këtë rregull.”

Terry kujtoi një rast kur ai dhe Cahill ndoqën rregullin e Mourinhos.

“Arbitri fishkëlleu dhe iu drejtova Cahillit: je mirë Gazi? “Po”, u përgjigj. Atëherë qëndro poshtë. Arbitri u afrua dhe na tha: “Të dy duhet të dilni nga fusha”. Jo, nuk është ky rregulli, i thamë”. Dhe gjyqtari na thotë: “Po, keni të drejtë”. Kjo hile bëri që të kalonin minutat. Një strategji e tillë të ndihmon të fitosh ose të humbësh ndeshjet. Mourinho dinte shumë. Këto janë vetëm disa nga këshillat që mund të marrësh nga një trajner i niveli të lartë si Mourinho,” – përfundoi Terry.


Shtuar 22.05.2021 21:26