Urdhër-arrestet nga SPAK, nga ish-shoferi i Ardi Veliut te biznesmeni i një argjendarie, zbardhen emrat

SPAK ka ekzekutuar ditën e sotme 15 urdhër arreste për disa persona të dyshuar si pjesëtarë të një grupi kriminal.

Burime bëjnë me dije se është ndaluar edhe ish-shoferi i Ardi Veliut, Sokol Idrizi, gruaja e tij, Elda Idrizaj dhe vazja e tij, një ish-studente në Francë. Mes të arrestuarve janë dhe dy policë të Portit të Durrësit.

Mes tyre është edhe Vangjush Kashari biznesmen i një argjendarie. Sakaq bëhet me dije se të përfshirë janë edhe Agustin Mesuli, Altin Doda, Florjan Bakri si edhe T.Baruti.

Siç u raportua më herët hetimet erdhën pas letër-porosisë së autoriteteve franceze.

Sa i përket akuzave të ngritura nga SPAK, bëhet fjalë për disa vepra penale, përkatësisht; Për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal. “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”, kryer në formën;e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Kontrabanda me mallra të tjerë, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”; “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.


Shtuar 14.06.2023 16:53