Fëmijët që shikojnë më shumë se dy orë televizor në ditë kanë më shumë gjasa të bëhen të varur nga bixhozi, cigaret, droga dhe alkooli kur të rriten.
Shkencëtarët nga Zelanda e Re studiuan të dhënat e 1000 njerëzve që nga koha kur ata ishin fëmijë deri në moshën 45 vjeç. Anketat kryheshin çdo dy deri në gjashtë vjet për sa shpesh shikojnë televizor, por edhe nëse luajnë bixhoz, pinë alkool apo drogë.
Rezultatet treguan se ata që shikonin më shumë se dy orë televizor në ditë nga mosha pesë deri në 15 vjeç kishin 29 për qind më shumë gjasa të kishin probleme me lojërat e fatit si të rritur sesa ata që shpenzonin më pak kohë duke parë ekranet. Ata kishin gjithashtu 20 për qind më shumë gjasa të ishin të varur nga produktet e duhanit, alkooli dhe droga në krahasim me ata që kalonin më pak kohë para ekranit.
Ky është një informacion jashtëzakonisht shqetësues pasi një studim i fundit zbuloi se fëmijët në Amerikë shpenzojnë mesatarisht deri në katër orë duke parë TV, tabletë ose ndonjë ekran tjetër.
“Ky hulumtim tregon se për disa njerëz shikimi i televizorit mund të jetë një shprehje e hershme e një çrregullimi të varësisë ose mund të çojë në një çrregullim të mëvonshëm të varësisë. Megjithatë, rezultatet tona janë vëzhguese, që do të thotë se ne ende nuk kemi qenë në gjendje të vërtetojmë se shikimi i televizorit rrit rrezikun e sjelljes problematike te të gjithë fëmijët.
Në këtë rast nuk mund të përjashtojmë faktorë të tjerë si gjenetika, ndikimi prindëror apo mungesa e mbështetjes sociale”, shpjegon Helena McAnally, eksperte në mjekësinë parandaluese nga Universiteti i Otagos dhe një nga autoret e hulumtimit të përmendur.