Pas fitores bindëse, Mitsotakis nuk pranon mandat për koalicion, kërkon zgjedhje të reja

Pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet e së dielës, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nuk pranoi të hënën ofertën e presidentes Katerina Sakellaropoulou për të marrë një mandat dhe për t’u përpjekur të krijonte një qeveri koalicioni. Ai kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda disa javësh për të siguruar shumicën që i nevojitet për të qeverisur i vetëm.

Disa orë pasi përfundoi votimi të dielën, kryeministri 55-vjeçar tha se do të “ndiqte të gjitha procedurat kushtetuese”, por la të kuptohej qartë se nuk do të angazhohej në bisedime për koalicion.

“Unë besoj se mesazhi i votuesve ishte shumë i qartë. Nuk besoj se ka baza për të formuar një qeveri nga ky parlament dhe dua të theksoj se nëse do të ishte në fuqi dje sistemi elektoral që do të përdorim në zgjedhjet e ardhshme, Demokracia e Re do të kishte një shumicë të fortë parlamentare prej më shumë se 170 vendesh”, tha ai.

Kryeministri grek tha se do ta kthente mandatin, në mënyrë që t’u hapej rruga zgjedhjeve të reja.

Me 99.55% të votave të numëruara deri herët të hënën, partia e tij konservatore fitoi 40.79% të votave, dyfishi i atyre të forcës kryesore të opozitës, partia e majtë Syriza e cila siguroi 20.07% të votave.

Pasoku socialist doli në vendin e tretë me 11.46% të votave.

Por sistemi proporcional që u përdor në zgjedhjet e së dielës do të thotë se Demokracia e Re fiton vetëm 146 nga 300 vendet e parlamentit, pesë më pak nga sa i duhet për një shumicë qeverisëse.

Zgjedhjet e reja, të zhvilluara me sistemin e mëparshëm të votimit, do t’i jepnin partisë fituese deri në 50 mandate shtesë.

Kjo do t’i siguronte partisë së zotit Mitsotakis një shumicë të fortë për një mandat të dytë në pushtet nëse rezultati i së dielës përsëritet.

Fitorja e Demokracisë së Re i shkaktoi opozitës disfatën më të rëndë në gjysmë shekulli.

Analisti Solon Molho thotë se fitorja e Demokracisë së Re ishte kryesisht humbje për Syrizën, e cila sipas tij nuk paraqiti alternativa.

“Demokracia e Re paraqiti argumenta më konstruktive, jo vetëm duke parashtruar se pse opozita është e dobët, por pse vetë ajo vetë është alternativa e duhur, çfarë do që të bëjë gjatë katër viteve të ardhshme dhe mesa duket votuesit janë më të interesuar të shohin përpara sesa prapa ”, tha analisti Molho.

Shumë nga qytetarët grekë thanë se e kishin pritur një rezultat të tillë, edhe pse ndoshta jo një humbje aq të thellë të opozitës.

“E prisja që Demokracia e Re të fitonte, por jo me këtë përqindje. Nuk mbetet shumë për të thënë, ai (Mitsotakis) i mundi bindshëm dhe fitoi me të drejtë, sepse Tsipras nuk mundi të realizonte atë që kishte premtuar Syriza”, thotë Fotis Hatzos.

“Jam e kënaqur. E prisja edhe pse jo kaq thellë. Nuk besoj se do të ndryshojë gje me raundin e dytë”, thotë Marta, një punonjëse e sektorit publik.

Zgjedhjet e reja, me sistemin e ndryshuar, pritet të mbahen më 25 qershor ose 2 korrik./dw/


Shtuar 22.05.2023 17:29