Përmbytje të mëdha në Itali, një mijë banorë largohen nga shtëpitë, mbyllen shkollat

Moti i keq vazhdon të prekë rajonet Marche dhe Emilia Romagna në Itali. Rreth një mijë banorë u larguan nga shtëpitë e tyre për arsye paraprake me ndihmën e zjarrfikësve dhe shërbimit të Mbrojtjes Civile.

Në qytetin e Cesena lumi Savio ka dalë nga shtrati dhe shumë persona janë ngjitur në çatitë e shtëpive për shkak të përmbytjes, ndërsa karabinierët kanë ndihmuar dhjetëra të moshuar që të largohen nga katet përdhese ku jetojnë.

Kryetarët e zonave të prekura nga moti i keq u kërkuan banorëve që të mos lëvizin nga banesat e tyre deri në përmirësimin e kushteve të motit. Sipas parashikimit të motit, reshjet e dendura të shiut do të vazhdojnë deri në mbrëmjen e nesërme.

Shkollat gjithashtu do të qëndrojnë të mbyllura nesër në dhjetëra qytete në Emilia Romagna dhe rajonin Marche. Shumica e lidhjeve hekurudhore dhe rrugore janë ndërprerë dhe alarmi do të mbetet “i kuq” edhe për të paktën 24 orë të tjera.


Shtuar 16.05.2023 21:49