Kryeministri i vendit, Edi Rama mbrëmjen e sotme ka folur për ecurinë e fushatës elektorale dhe premtimin për të zhvilluar një fushatë pa shumë shpenzime.
I ftuar në emisionin “Now”, Rama tha se nga pikëpamja e kostove ka mbajtur fjalën që ka dhënë.
Rama: Fushata është modeste nga pikëpamja e shpenzimeve, shumë më modeste se në të shkuarën. Ishte e ndarë në dy faza, një fazë e parë pa takime të mëdha, takimet kanë qenë të gjitha shumë spontane. Tani është faza e takimeve përmbyllëse që janë takime të mëdha, por përsëri nuk ka tribuna, ekrane, shpenzime të mëdha, kështu që faktikisht, ajo që e bën mbase të duket shumë e madhe si fushatë është prania e njerëzve, nuk ka asgjë të madhe nga pikëpamja e shpenzimeve.
Ndërkaq, kryeministri sqaroi dhe pse është përdorur imazhi i tij në këtë fushatë më shumë se ai i kandidatëve për kryebashkiakë.
Rama: Ky është një dimension i këtyre zgjedhjeve që nuk mund të neglizhohet sepse nuk është thjesht një çështje, do shkojmë aty, do të zgjedhim një kryetar bashkie dhe patjetër kur vjen puna në nivelin e zgjedhjes së kandidatëve, kandidatët bëjnë fushatë çdo ditë në të gjithë cepat e bashkive të tyre, drejtuesit tanë politikë bëjnë fushatë çdo ditë në të gjithë cepat e bashkive të tyre dhe natyrisht flasin shumë për çështjet e komunitetit, por ato zënë pak vend në media./Albeu.com/.