Kanosën për para një 34-vjeçar dhe familjarët e tij, dy të arrestuar në Tiranë

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi shantazhonin dhe kërcënonin për para një 34-vjeçar dhe familjarët e tij.

Të arrestuarit, M. L., 23 vjeç dhe B. A., 33 vjeç, banues në Tiranë, organizonin gjithashtu lotari të palejuara, me anë të aparateve të tyre celulare.

Ata akuzohen për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

Njoftimi:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas kallëzimit të marrë nga një shtetas, për 2 persona që e shantazhonin dhe e kërcënonin për jetën, që t’u jepte një shumë parash, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre.

Falë veprimeve profesionale nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në kuadër të operacionit policor të koduar “Credit”, është bërë lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– M. L., 23 vjeç dhe B. A., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur për dhënie pasurie, një 34-vjeçar dhe familjarët e tij.

Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar se 2 të arrestuarit organizonin lotari të palejuara, me anë të aparateve të tyre celulare, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. /albeu.com


Shtuar 4.03.2023 13:03