Jo vetëm ndërtuesit, tërmeti ka nxjerrë në pah dështimin e gjithë sistemit politik dhe ekonomik në Turqi

Nga Jen Kirby “Vox

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Turqia është ende në mesin e një emergjence kombëtare, e tronditur nga tërmeti  i fortë që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz. Por ka nisur që tani debati mbi përgjegjësit e kësaj katastrofe kaq të madhe. Nxitimi për të ndëshkuar vjen në mesin e pikëllimit, por edhe zemërimit dhe zhgënjimit në rritje me reagimin e qeverisë turke ndaj tërmetit.

Pjesa më e madhe e debatit është e përqendruar në reagimin ndaj situatës emergjente, por edhe për politikat e ndjekura para tërmetit, dhe konkretisht mbi mënyrën sesi ndërtimet e papërshtatshme mund të kenë shtuar shkatërrimet nga tërmeti i 6 shkurtit.

Ministria turke e Drejtësisë deklaroi fundjavën e kaluar se 134 persona po hetohen për rolin e tyre në ndërtimin e godinave që u shembën gjatë tërmetit, edhe pse disa u shpallën se ishin në përputhje me rregullat e ndërtimit. Të paktën 10 persona janë arrestuan, ndërsa të tjerëve iu ndalua të dalin nga Turqia.

Disa nga të arrestuarit ishin përpjekur që të largoheshin nga vendi. Ministria e Drejtësisë theksoi gjithashtu se po ngre zyra hetimore për krimet e tërmetit për të hetuar vdekjet dhe plagosjet. “Ne do ta ndjekim me përpikëri këtë proces deri në përfundimin e procesit të nevojshëm gjyqësor, sidomos për ndërtesat që pësuan dëmtime të mëdha dhe ato që shkaktuan të vdekur dhe të plagosur”- u tha gazetarëve në një konferencë të së shtunës zv/presidenti Fuat Oktay.

Këto lëvizje duken si një përpjekje për të kërkuar llogari, por është sërish larg nga një llogaridhënie reale të dështimeve të autoriteteve turke përballë këtij tërmeti. Turqia ndodhet përgjatë 2 vijave kryesore ndarëse midis pllakave të mëdha tektonike.

Pas tërmetit vdekjeprurës të 1999-ës, ajo miratoi kode më të rrepta për ndërtimet, por ato nuk u zbatuan vazhdimisht. Dhe përgjegjësia për këto shkelje me pasoja të rënda, shkon përtej ndërtuesve që kanë reduktuar sasinë e hekurit apo kanë përdorur materiale shumë të dobëta.

Ka shumë të ngjarë që inspektorët dhe zyrtarët komunalë e shtetërorë të kenë dhënë leje që nuk duhet t’i jepnin, ose të kenë mbyllur njërin sy ndaj mungesës së standarteve. Ka nga ata që lobuan tek politikanë që mbështetën ligjet e amnistisë për ndërtesat.

“Tërmetet janë një dukuri natyrore. Ato ndodhin herë pas here. Por pasojat e tërmetit janë një aspekt i lidhur ngushtë me politikat qeveritare, politike dhe administrative”- tha Hişyar Özsoy, nënkryetar i Partisë Demokratike të Popullit dhe një deputet i opozitës që përfaqëson Diyarbakir, një qytet pranë epiqendrës së tërmetit.

E gjithë kjo ndodhi nën qeverisjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, që së bashku me Partinë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), është në pushtet prej 2 dekadash. Erdogan e vendosi bumin e ndërtimit në qendër të rritjes ekonomike të Turqisë. Në të njëjtën kohë, ai e ka konsoliduar pushtetin e tij mbi institucionet, median dhe gjyqësorin.

Kjo rritje e shpejtë ekonomike, që ndodhi së bashku me erozionin e demokracisë në vend, krijoi “xhepa” korrupsioni dhe keq-menaxhimi në qeverisje, të cilat i lejuan kontraktorët t’i ndërtonin godinat shkel e shko. “Problemi që nxori në pah tërmeti ka të bëjë shumë me të gjithë sistemin që ndërtoi Erdogan, dhe jo vetëm politikën e tij, por edhe ekonomitë që qëndrojnë pas tij”- thotë Sebnem Gumuscu, profesoreshë e shkencave politike në Kolegjin Middlebury, që ka studiuar demokracinë dhe autoritarizmin në Turqi.

“I gjithë sistemi është ndërtuar rreth këtyre rrjeteve të korruptuara, rrjeteve nepotike, dhe që ekzistojnë në të gjitha nivelet: nivel lokal, nivel kombëtar, degët lokale të partisë, tek ndërtimet lokale, zhvilluesit e masterplaneve urbane nëpër bashki, ata janë të gjithë bashkë!”-shton ajo.

Në vitin 2019, në prag të fushatës për zgjedhjet lokale, Erdogan promovoi përpjekjet për të dhënë amnisti për ndërtuesit. “Me këtë amnisti ne kemi zgjidhur problemet e 205.000 qytetarëve të Hatay”- deklaroi ai. Por kjo qasje bazohej tek një lloj shkurtimi i procedurave burokratike që lejonte ndërtimin dhe certifikimin e ndërtesave edhe nëse ato nuk plotësonin kërkesat e sigurisë dhe kodit në fuqi.

Zhvilluesit duhej të paguanin një gjobë, por ky ishte në thelb një përjashtim nga rregullat. Në fakt, dhënia e këtyre amnistive i paraprin ardhjes së Erdogan në krye të vendit madje edhe tërmetit të vitit 1999, që e nxiti Turqinë të reformonte standardet e sigurisë dhe të ndërtimit për t’i bërë ballë më mirë tërmetit të ardhshëm.

Pas miratimit të ligjit më të fundit të amnistisë në vitin 2018, u dhanë dhjetëra mijëra amnisti, përfshirë edhe në zonat e prekura nga tërmeti. Pelin Pinar Giritlioğlu, drejtuese e Unionit të Dhomave të Inxhinierëve dhe Arkitektëve Turk të Dhomës së Planifikuesve të Qytetit në Stamboll, deklaroi për BBC javën e kaluar se numri i godinave të amnistuara mund të jetë deri në 75.000 në zonën e tërmetit.

Një amnisti e re ishte në pritje të miratimit në parlament pak para tërmetit. Amnistia krijoi një hendek midis rregulloreve dhe kodeve që ekzistonin dhe asaj që po zbatohej në realitet. Por siç e theksuan ekspertët, ndërtimi ishte motori i ekonomisë, ndaj gjithçka ishte në funksion të këtij synimi.

Po ashtu, ndërtimi ishte një burim pushteti politike për Erdoganin dhe AKP-në, pasi kompanitë e mëdha turke të ndërtimit u pasuruan me kontrata qeveritare dhe u afruan shumë me regjimin. Ky bum ndërtimi, që ushqeu sektorë të tjerë të ekonomisë, e ndihmoi Erdogan dhe AKP të bëhen popullore, dhe kjo nga ana e tij i dha mundësi të forconte autoritetin e tij dhe ndihmoi në vendosjen e AKP-së në pushtet në të gjitha nivelet e qeverisjes, pra edhe tek institucionet e ngarkuara me mbikëqyrjen e lejeve ose zbatimin e kodeve të ndërtimit.

Politikanët kishin stimuj për të miratuar amnistinë. Njerëzit u pasuruan përmes këtij sistemi, prandaj nuk kishte asnjë nxitje për të siguruar zbatimin e standardeve të sigurta ndaj tërmeteve. Dhe institucionet që mund t’i mbanin përgjegjës këta lojtarë dhe politikanë -medias, shërbimi civil, gjykatat – po dobësoheshin nga prirja gjithnjë e më autoritare e Erdogan.

është e vërtetë që ka të ngjarë që ndërtuesit të kenë qenë të pakujdesshëm, duke ndërtuar ndërtesa me materiale të lira apo me projekte që nuk mund të përballonin një tërmet me magnitudë 7.8 ballë. Por kjo nuk mund të ndodhte pa bashkëpunimin apo inkurajimin e institucioneve qeveritare, që i dinin dobësitë e vendit dhe gjithsesi nuk morën ndonjë masë serioze.

“Ndjekja penale e ndërtuesve është një lëvizje e nxitur nga protestave publike. Por fajtorët e vërtetë janë qeveria aktuale dhe qeveritë e mëparshme që e mbajtën sistemin ashtu siç është”- deklaroi për New York Times, Taner Yuzgec, ish-president i Dhomës së Inxhinierëve të Ndërtimit.

Edhe hetimet e nisura nga Ministria turke e Drejtësisë mund të jenë një përpjekje për të hequr presionin jo vetëm nga shkeljet e dikurshme, por edhe nga kritikat dhe ankesat për reagimin e dobët të qeverisë ndaj tërmetit. Erdogan i ka centralizuar shumë institucione duke i vendosur nën kontrollin e tij, gjë që do të thotë se shumë funksione të shtetit kalojnë përmes tij.

Ekspertët dhe kritikët kanë thënë se kjo ka të ngjarë të ketë sjellë jo pak vonesa në reagimin ndaj fatkeqësisë, përfshirë edhe atë të ushtrisë. Këto pikëpyetje po shkaktojnë një zemërim më të madh tani. Megjithatë, hetimet që synojnë ndërtuesit individualë mund të heqin një pjesë të presionit nga Erdogan, partia e tij dhe ata që janë të lidhur me qeverinë e tij.

“Për të treguar se është serioz, ai po godet disa nga objektivat më të lehtë. Pra për të thënë: Unë po kujdesem për interesat e njerëzve të mi, dhe do t’i bëj këta njerëz të paguajnë për çdo shkelje që kanë bërë”- thotë Gumuscu.

Pyetja që shtrohet tani është nëse do të jetë e mjaftueshme të ndëshkosh disa njerëz të rangjeve të ulëta, apo nëse kjo mund të përfaqësojë potencialisht një faktor vendimtar në rënien politike të Erdogan. Zgjedhjet janë planifikuar për në muajin maj dhe kriza ekonomike e vendit dhe qëndrimi i gjatë Erdogan në pushtet, e kanë vendosur në një pozitë delikate.

Nëse tërmeti do të sfidojë qëndrimin e Erdoganit në pushtet, kjo është e diskutueshme, por ajo që do të ndodhë pas tërmetit do të përcaktojë të ardhmen e Turqisë. Miliona njerëz mbetën të pastrehë pasi mijëra ndërtesa dhe apartamente u shkatërruan. Ato shtëpi duhet të ndërtohen.

Turqia do të rindërtohet. Por si do të bëjë këtë? /albeu.com


Shtuar 17.02.2023 17:56